Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas shkarkimit të Zhaneta Beqirit nga drejtimi i Shërbimit Publik të Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të dëmshëm për një shërbim që, sipas tij, është kthyer në një model suksesi për kryeqytetin.
Një “brand publik” që po konkurron shërbimin privat
Në një postim në Facebook, Braçe i drejtohet kryebashkiakut Erion Veliaj se ky është një gabim që duhet rregulluar. Ai e cilëson Beqirin si një nga figurat kryesore që ka kontribuar në ndërtimin e një “brandi publik”, i cili ka arritur të konkurrojë me sukses shërbimin privat.
“Erion, këtë herë e ke gabim! Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik.
Vëzhgime nga puna në çerdhe dhe kopshte
Braçe thotë se e njeh Beqirin vetëm nga puna, pa pasur njohje personale me të gjatë 13 viteve kur ajo ka drejtuar shërbimin. Ai tregon se e ka takuar në çerdhe e kopshte, jo në zyrë, në institucione si Irfan Tomini, Vasil Shanto, zona e Shushicës, Ish-Bllok dhe 1 Maji, ku e ka parë duke u marrë me fëmijët, me edukatoret, guzhinierët dhe prindërit.
Sipas tij, Beqiri ishte aty që në orën 8 të mëngjesit, pa e ditur paraprakisht për praninë e tij, dhe ai u impresionua nga përkushtimi i saj, nga kujdesi për higjienën dhe deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve.
Braçe e lidh dobësimin e çerdheve dhe kopshteve private me këtë model publik: “Nëse sot çerdhet e kopshtet private mbyllen njëri pas tjetrit dhe janë tkurrur shumë, është pikërisht ky brand publik arsyeja; infrastruktura dhe, mbi të gjitha, kujdesi maksimal i çdo punonjësi publik në këtë shërbim: edukatoreve, mësuesve ndihmës, guzhinierëve, sanitarëve, psikologëve dhe kësaj gruaje, bashkë me ta dhe në krye të tyre”.
Reagime nga prindërit
Braçe thotë se ka marrë mesazhe nga qytetarë, të cilët e kanë konsideruar largimin e Beqirit një gabim dhe një dëm për shërbimin, veçanërisht për fëmijët.
“Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta!”
Kërkesa për rishqyrtim
Përveç kryebashkiakut, Braçe i drejtohet edhe zyrtarëve të tjerë në bashki me kërkesën që vendimi të rishikohet.
“Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur!”
Burimi: shqiptarja.com










