Ndërtimi i terminalit të autobusëve në qytetin e Burrelit është në fazën përfundimtare. Punimet kanë përparuar ndjeshëm dhe po i japin trajtën e fundit këtij investimi, i cili ka si qëllim përmirësimin e shërbimit të transportit publik në Bashkinë e Matit.
Punimet janë monitoruar nga afër nga kryetari i Bashkisë së Matit, Altin Bojni, i cili deklaroi se, nëse vazhdohet me këtë ritëm, ato pritet të përfundojnë shumë shpejt.
Sipas Bojnit, ky investim do të bëjë të mundur vendosjen e automjeteve të transportit publik, si të linjave brenda territorit të Bashkisë së Matit, ashtu edhe të atyre ndërqytetase. Terminali pritet të krijojë kushte më të mira për organizimin e transportit dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor për qytetarët.
Ndërtimi i këtij objekti vjen si përgjigje ndaj një kërkese të vazhdueshme të operatorëve të transportit, por edhe të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar prej kohësh një terminal të dedikuar, ku autobusët të kenë një vend të përshtatshëm për qëndrimin dhe nisjen e udhëtimeve.
Pas përfundimit të projektit, automjetet që kryejnë shërbimin e transportit publik drejt fshatrave të Bashkisë së Matit, si dhe autobusët e linjave ndërqytetase, do të vendosen në këtë terminal, duke synuar një organizim më të mirë të lëvizjes dhe lehtësimin e shërbimit për udhëtarët.
Burimi: tirananews.al










