Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Konjufca kundërshton raportin e UNMIK-ut, e cilëson propagandë serbe

Konjufca kundërshton raportin e UNMIK-ut, e cilëson propagandë serbe

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij në diskutimin për raportin e fundit të UNMIK-ut për Kosovën, duke u ndalur te proceset zgjedhore në vend, deklaroi se Kosova e ka dëshmuar disa herë se ka ndërtuar institucione të qëndrueshme.

Sipas tij, Qeveria do të vijojë me agjendën “ambicioze të perspektivës sociale e ekonomike, drejtësisë e sigurisë”.

“Qeveria e Kosovës po punon për të garantuar paqe dhe prosperitet në tërë territorin, përfshirë edhe veriun, dhe këto përpjekje po japin tashmë rezultate”, u shpreh Konjufca.

Ai u ndal edhe te mbyllja e institucioneve të strukturave ilegale në vend. Ministri theksoi se “asnjë qytetar nuk do të mbetet pa shërbime”.

“Si pasojë e përmirësimit të gjendjes së sigurisë në veri, forcat e KFOR-it kanë rregulluar pozicionimin e tyre, çka ka krijuar kushtet që organet tona të integrohen edhe më thellë dhe të kenë bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me qytetarët serbë të Kosovës”, deklaroi ai.

Më tej, ai tha se raporti i UNMIK-ut i përmend vetëm pjesërisht përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të promovuar sundimin e ligjit, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes.

“Është zhgënjyese që shumë nga rastet e trajtuara në raportin e UNMIK-ut mbështeten kryesisht në propagandën serbe; është fatkeqësi që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, i orkestruar dhe i mbështetur nga Beogradi zyrtar përmes Radiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme, në vend që të përshkruhet ashtu siç është, pra si sulm terrorist. Nga 92 rastet e paraqitura si propagandë politike nga zyra e ashtuquajtur për Kosovë, asnjëra nuk ka ndonjë sfond ose motiv etnik. Me keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe fabrikimeve të tilla, raporti përmban dezinformata dhe qëllimisht i interpreton gabimisht veprimet e zbatimit të ligjit apo cenimin e rendit publik, duke i përshkruar ato si të motivuara etnikisht ose si shkelje të të drejtave”.

“Kundërvajtjet që përmenden nga UNMIK-u nuk kanë qenë arrestime apo persekutim i serbëve. Këta persona janë shoqëruar nga Policia e Kosovës në përputhje me ligjet në fuqi. Ata janë hequr nga lokalet për shkak të keqpërdorimit të ngjarjeve festive e fetare që mbjellin urrejtje e përçarje dhe cenojnë integrimin etnik në Kosovë”.

“Raporti i UNMIK-ut gjithashtu vendos në mënyrë joproporcionale fokusin te disa incidente të pretenduara në disa objekte fetare në Kosovë. Raporti thekson se Policia e Kosovës ka hapur hetime për secilin incident të regjistruar. Megjithatë, nuk thuhet se asnjë incident dhe asnjë provë nuk tregon se shqiptarët i kanë kryer këto vepra, apo ndonjë provë për tensione etnike që qëndrojnë si motiv i këtyre kundërvajtjeve”.

“Prandaj është e palogjikshme që UNMIK-u t’i regjistrojë ato si incidente zyrtarisht etnike. Ato ekzistojnë vetëm në raportet e Serbisë dhe në pretendimet që bëhen nga zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë”, deklaroi ministri i Jashtëm, teksa kërkoi nga UNMIK-u “të mos keqinterpretojë mikroincidentet që e paraqesin gjendjen si të brishtë”.

“I bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm që të tregojë vëmendje dhe të përmbahet nga miratimi i raportit të njëanshëm dhe të çrregullt si narrativ i UNMIK-ut që i bën jehonë propagandës së Serbisë. Një raport i saktë është thelbësor për të siguruar që ky mision të mos shkaktojë dëm, pavarësisht faktit që ka qëndruar kaq gjatë”, theksoi Konjufca.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha