Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Aktualitet

Avokati i Popullit publikon gjetjet pas protestës në Shqipëri, pretendime për dhunë e kontrolle telefonash pa vendim gjykate

Avokati i Popullit publikon gjetjet pas protestës në Shqipëri, pretendime për dhunë e kontrolle telefonash pa vendim gjykate

Avokati i Popullit ka bërë publike gjetjet fillestare nga monitorimi i protestës së 19 tetorit në Tiranë, ku janë evidentuar pretendime për dhunë nga ana e policisë, shkelje të procedurave që lidhen me të miturit, kontrolle të telefonave celularë si dhe kushte të mbingarkuara në ambientet e shoqërimit.

Sipas deklaratës së këtij institucioni, gjatë protestës policia ka shoqëruar 50 persona, prej të cilëve 32 të rritur dhe 18 të mitur. Në të njëjtën kohë, në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 109 persona të arrestuar, ndërsa në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore 34 persona, mes tyre 21 punonjës policie, 7 protestues dhe 5 kalimtarë, sipas të dhënave të raportuara.

Ekipet e Avokatit të Popullit kanë kontaktuar gjithsej 193 persona të ndaluar, të arrestuar ose të shtruar në spital dhe kanë pranuar 11 ankesa, prej të cilave 10 në Bllokun e Sigurisë.

Pretendime për dhunë – Në Komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e shoqëruar kanë deklaruar se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga punonjësit e policisë. Sipas deklaratës, te dy prej tyre janë vërejtur shenja dëmtimi fizik. Një ankesë tjetër për dhunë ndaj një të mituri është regjistruar në Bllokun e Sigurisë.

Të rriturit e shoqëruar kanë pretenduar përdorim të sprajit me piper dhe gazit lotsjellës, goditje me bombola gazi, tërheqje zvarrë si dhe dhunë fizike e psikologjike. Një person ka deklaruar se është goditur në një zyrë të Komisariatit nr. 4, ku, sipas raportimit, nuk ka kamera sigurie.

Gjithashtu, disa persona kanë deklaruar se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale pa vendim gjykate. Janë raportuar edhe raste të shoqërimit të personave që pretendojnë se kanë qenë kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.

Mangësi në trajtimin e të miturve – Monitorimi ka vënë në dukje se në Komisariatin nr. 1 të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave në versionin për fëmijë, ndërsa gjashtë prej tyre ishin regjistruar në regjistrin e të rriturve. Mangësi në regjistrimin e të miturve janë konstatuar edhe në Komisariatin nr. 4. Po ashtu, në komisariatet nr. 2 dhe 4 janë evidentuar punonjës policie pa numra identifikues të dukshëm.

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime edhe për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, ku ndodheshin 109 persona, duke përmendur mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.

Kërkesat – Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit kërkon identifikimin e detyrueshëm të punonjësve të policisë, uljen e menjëhershme të mbingarkesës në Bllokun e Sigurisë dhe vendosjen e kamerave në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit, si dhe ruajtjen e pamjeve të 19 tetorit.

Institucionit të Policisë së Shtetit i kërkohet gjithashtu të mos kryejë kontrolle të telefonave apo të kërkojë fjalëkalime pa bazë ligjore, të garantojë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut gjatë intervistimit të të miturve, si dhe të përmirësojë dokumentimin e shoqërimeve dhe kujdesin mjekësor.

Avokati i Popullit thekson se gjetjet janë paraprake dhe se hetimi administrativ vijon për rastet ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut. Institucioni deklaron se do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve dhe u bën thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat të paraqesin ankesa individuale.

KOMUNIKATA E PLOTË: Sot, më 20 tetor, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i 24 orëve të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar. Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon, dhe do t’ju njoftojmë brenda afateve ligjore.

Gjatë ditës së 19 tetorit deri në mbrëmje vonë, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në komisariatet nr. 5 dhe 6 nuk u raportuan persona të shoqëruar, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij raportimi.

Ditën e djeshme, policia ka shoqëruar 50 persona: 32 të rritur dhe 18 të mitur.

  • Komisariati nr. 1: 21 persona, ndër ta 8 të mitur.
  • Komisariati nr. 2: 19 persona, ndër ta 7 të mitur, 2 gra.
  • Komisariati nr. 4: 10 persona, ndër ta 3 të mitur.
  • Blloku i Sigurisë: ndodheshin 109 persona të arrestuar, 1 i mitur, 4 gra.
  • Spitali i Traumës: 34 persona kanë marrë trajtim mjekësor, nga këta 21 punonjës policie, 7 protestues dhe 5 kalimtarë.

Gjatë ditës së djeshme kemi marrë kontakt me 193 persona të ndaluar, të arrestuar dhe në spital, prej të cilëve 6 gra, 19 të mitur. Gjithsej kemi administruar 11 ankesa, nga të cilat 10 në Bllokun e Sigurisë, njëra për një të mitur në Kom. Nr. 1.

Kemi marrë gjithashtu telefonata në numrin zyrtar dhe disa raste na janë referuar përmes rrjeteve sociale. Nga administrimi i këtyre materialeve, kemi nisur hetimin administrativ për këto raste ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e policisë së shtetit. Ne dy prej tyre u konstatuan shenja të dëmtimit fizik. Në Bllokun e Sigurisë kemi marrë një ankesë për dhunë ndaj një të mituri.

Standardi: Neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues, pa asnjë përjashtim. Konventa për të Drejtat e Fëmijës (KDF), neni 37, kërkon trajtim humanitar dhe respektim të nevojave të personave nën moshën 18 vjeç.

Kjo ka rëndësi sepse dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.

Garancitë procedurale për të miturit

Në komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave. Pas ndërhyrjes sonë, u dha formulari për të rriturit, por edhe ai ishte i papërditësuar. Gjashtë të mitur u regjistruan në regjistrin e të rriturve. Në komisariatin nr. 4, regjistri i të miturve ishte plotësuar pjesërisht.

Standardi: Neni 5 i KEDNJ kërkon që çdo person i privuar nga liria të informohet menjëherë për arsyet dhe të drejtat e veta. KDF, neni 37, kërkon që të miturit të ndahen nga të rriturit dhe të kenë akses të shpejtë te ndihma juridike. Kodi i Procedurës Penale dhe ligji për drejtësinë penale për të miturit përcaktojnë format e informimit dhe të njoftimit të prindit ose kujdestarit.

Kjo ka rëndësi sepse: pa formular të saktë dhe regjistër të veçantë, shkelja e këtyre të drejtave nuk mund të provohet, dhe i mituri mbetet pa mbrojtjen që i ka garantuar ligji.

Dhuna ndaj të rriturve

Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit duke përfshirë përdorimin e sprajit me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë së shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie.

Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe neni 2 për mbrojtjen e jetës. Parimet Bazë të OKB-së për përdorimin e forcës (1990) kërkojnë që forca të jetë e domosdoshme dhe proporcionale. Neni 11 i KEDNJ mbron të drejtën e tubimit paqësor, dhe çdo kufizim duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional.

Kontrolli i telefonave

Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria.

Standardi: Neni 8 i KEDNJ mbron jetën private dhe korrespondencën. Çdo ndërhyrje duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë e domosdoshme. Kodi i Procedurës Penale parashikon që kontrolli dhe marrja e të dhënave elektronike të bëhen me urdhër të prokurorit dhe me autorizimin e gjykatës.

Kjo ka rëndësi sepse: kontrolli pa bazë ligjore është ndërhyrje në jetën private dhe cenim i të drejtave themelore të njeriut.

Shoqërimet pa shkak individual

Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa pasur një shkak të ligjshëm, pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.

Standardi: Neni 5 i KEDNJ lejon privimin nga liria vetëm për shkaqe të ligjshme dhe të përcaktuara, si dyshimi i arsyeshëm për një vepër penale.

Identifikimi i punonjësve të policisë

Në komisariatet nr. 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit.

Standardi: Kodi Evropian i Etikës së Policisë (Këshilli i Evropës, 2001) dhe standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) kërkojnë që policët të jenë të identifikueshëm. Ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” parashikon detyrimet e policisë në përmbushjen e detyrës.

Kjo ka rëndësi sepse: pa identifikim, bëhet e vështirë përgjegjësia personale për rastet e akuzave për dhunë, por dëmtohet edhe besimi tek policia e shtetit, duke mos arritur të ndajë ata që shkelin ligjin nga punonjësit e policisë që veprojnë në respektim të tij.

Kushtet dhe kapaciteti

Në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.

Standardi: Neni 3 i KEDNJ dhe Gjykata e Strasburgut, në jurisprudencën e saj, ka përcaktuar hapësirën minimale prej 3 m² për të burgosur në qeli me shumë persona. Standardet e CPT-s

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha