Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Balluku kërkoi vilë si në Santorini në Palasë, sipas e-maileve

Balluku kërkoi vilë si në Santorini në Palasë, sipas e-maileve
Foto: balkanweb.com

Detaje nga dosja hetimore e SPAK, të trajtuara në emisionin “Në Shënjestër” në Neës24, hedhin dritë mbi mënyrën se si është projektuar dhe investuar vila 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, për të cilën prokurorët dyshojnë se i përket Belinda Ballukut.

Komunikimet me studion e arkitekturës

Në komunikimet elektronike të administruara nga hetuesit, ish-zv.kryeministrja shfaqet si klientja e studios së arkitekturës “Atelier 4”, e cila merrej me përshtatjen e vilës sipas kërkesave të saj.

Sipas dosjes, më 14 shtator 2020, arkitekti Alban Eftimi i ka dërguar Ballukut një email me propozime për projektin. Në të përshkruhen detaje të ndryshme të vilës, nga shkallët me gjelbërim kacavjerrës te pishina infinity me hapësirë për tavolinë ngrënieje, tarraca e veshur me dru teak dhe ambientet e përshtatura për një standard luksoz.

Në projekt parashikohej gjithashtu vendosja e vaskave me hidromasazh në të dy krahët e ndërtesave, ndërsa arkitekti i referohej hotelit “Roccabella” në Santorini si model për këtë element të projektimit.

“Investitori e ka shumë të rëndësishëm zbatimin me përpikmëri të projektit”, thuhej në një tjetër komunikim të cituar në dosje.

SPAK ka administruar edhe komunikime të tjera ku diskutohet për ndryshime strukturore në dy vilat ngjitur, numrat 187/2 dhe 188/1, si dhe për ndërtimin e pishinës dhe ambienteve të tjera luksoze.

Sipas hetimeve, këto komunikime tregojnë se Balluku ishte e përfshirë në diskutimet për projektimin dhe përshtatjen e vilës, ndërsa emri i saj shfaqet në komunikimet me studion e arkitekturës si klientja për të cilën po realizohej projekti.

Konteksti i hetimit

Sipas një proverbi të vjetër, ligjet thuhet se janë krijuar si rrjetat e merimangave, për të kapur mizat e vogla, ndërsa grerëzat e mëdha çajnë përmes tyre.

Ky proverb duket se i shkon për shtat rastit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, një nga figurat më të pushtetshme në Shqipëri sot. Ajo konsiderohet madje më e pushtetshme se vetë kryeministri Rama.

Ky i fundit, ndërsa ka dorëzuar një e nga një para drejtësisë bashkëudhëtarët e tij në rrugën e gjatë të pushtetit 13-vjeçar, duket se nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë me Ballukun. Ajo është mbrojtur deri në fund, duke kthyer pas edhe kërkesën e ardhur në Kuvend nga SPAK për heqjen e imunitetit të ish-numrit dy të qeverisë.

Balluku u paraqit për herë të fundit në godinën e SPAK më 28 tetor, ku u njoh me mbylljen e hetimeve të hapura kundër saj dhe me pesë akuzat e ngritura, ndër to korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe abuzim me tenderat. Ajo duhet të japë llogari tashmë për nëntë procedura tenderimi për projekte infrastrukturore dhe punime publike, ndër to Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe aksi Porto Romano–Durrës.

Në kuadër të kësaj dosjeje janë marrë si të pandehur edhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, njerëz të besuar të Belinda Ballukut, biznesmenë të njohur dhe ish-futbollisti i Kombëtares Igli Tare. Çfarë i lidh këta personazhe me emrin e Ballukut? Gjurmët e ish-zv.kryeministres në pasuritë që dyshohen se janë fituar me korrupsion, si në rastin e vilës në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, e kanë bërë këtë lidhje të dukshme.

Vila “F6” në Dhërmi

Vila, për të cilën mendohet se investimi arrin shifrën 420 mijë euro, ishte fshehur në emrin e ish-futbollistit Igli Tare. Hetuesit kanë gjetur në apartament disa elemente që lidhen me Ballukun dhe familjen e saj: orendi me firmën e saj ose të familjarëve, një televizor me platformën “Netflix” të hapur me llogarinë [email protected], pikturat në mure me inicialet e vajzës së saj dhe zbukurimet e festës së ditëlindjes së djalit.

Një tjetër provë është se faturat e energjisë elektrike janë paguar nga vartësja e saj, Viola Haxhiademi, e cila gjithashtu është në hetim nga SPAK.

Lidhja me “Eurocol” dhe “Albcontrol”

Sipas hetimit, lidhja e Ballukut me kompaninë “Eurocol” të biznesmenit Pandeli Carapuli nis që në vitin 2014. Kompania ishte përfituese e një tenderi për rikonstruksionin e godinës së “Albcontrol”, në kohën kur Balluku drejtonte këtë institucion. Sipas SPAK, si kundërshpërblim, Carapuli i dha asaj vilën në zonën e Dhërmiut.

Gjatë kësaj periudhe, Balluku i kërkoi studios “Atelier 4” të hartonte një projekt për rikonstruksionin e godinës teknologjike të “Albcontrol”, që sipas saj duhej bërë falas për shkak të mungesës së fondeve. Kërkesë të ngjashme ajo i drejtoi edhe një studioje tjetër arkitekture, ku përfshihet edhe Evis Berberi, i cili më vonë, kur Balluku erdhi në krye të Ministrisë së Transporteve, u shpërblye me pozicionin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në banesën e tij u gjetën mesazhe dhe email që përfshinin Ballukun dhe të besuarit e saj.

Kontrata fiktive e qirasë

Sipas SPAK, indiciet e para u morën nga Viola Haxhiademi, drejtoreshë e Departamentit Administrativ në “Albcontrol”, e cila në një email për motrën e saj shkruante se Belinda kishte një njësi banimi në kompleksin “White Rocks”, dhe se ajo vetë kishte “F6”, ndërsa Belinda kishte “F5”.

Për vilën “F6” u lidh më 5 dhjetor 2018 një kontratë porosie midis Igli Tare, si porositës, dhe “Eurocol” sh.p.k., me çmim të plotë 145 mijë euro. Tare kishte paguar vetëm 70 mijë euro, pjesa tjetër rezultoi e papaguar. Pas përfundimit të punimeve në vitin 2019, Balluku dhe familjarët e saj ishin vizitorë të shpeshtë të vilës.

Gjatë kontrollit të 27 prillit 2026 u gjet edhe një “kontratë qiraje” e papërpunuar para noterit, datë 25 maj 2022, midis Igli Tare, si qiradhënës, dhe Joana Bushit, si qiramarrëse. Bushi konsiderohet një nga njerëzit më të besuar të Ballukut. Qiraja ishte 450 euro në muaj, më vonë 600 euro, dhe Bushi kishte bërë një depozitim bankar prej 5 400 eurosh për llogari të Tares. Hetimi zbuloi se kjo kontratë ishte fiktive dhe ishte bërë për të fshehur pronarin real, që sipas SPAK është Belinda Balluku.

“Për të fshehur posedimin e vilës nga ana e saj, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur vartësen e saj, shtetasen Joana Bushi, duke kryer një veprim fiktiv të lidhjes së kontratës së qirasë me personin tjetër të përdorur si porositës të kësaj vile, shtetasin Igli Tare. Veprimet e kryera nga shtetasi Igli Tare për kontratën e porosisë, si dhe pagesa pjesore e formalizuar për këtë kontratë, janë bërë për llogari të shtetases Belinda Balluku. Kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga shtetasi Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k, në drejtim të shtetases Belinda Balluku”, thuhet në dosje.

Grupi “Dhërmi” në WhatsApp

Balluku kishte krijuar për rrethin e saj në “Albcontrol” një grup WhatsApp të quajtur “Dhërmi”, ku bënin pjesë Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano, për t’u koordinuar kur ishin në vilë. Joana Bushi nuk ishte në këtë grup, edhe pse kishte lidhur fiktivisht kontratën e qirasë për vilën “F6”, e cila sipas hetimit ishte e vërtetë e Ballukut.

“Nga aktet e administruara rezulton se njësitë e banimit në kompleksin ‘White Rocks’ kanë filluar t’u dorëzohen personave të interesuar për banim në muajin qershor të vitit 2019. Që nga momenti i marrjes në dorëzim të vilës, ajo rezulton të jetë përdorur në mënyrë të rregullt nga shtetasja Belinda Balluku. Nga kqyrja e aktit të ekspertimit të aparatit celular ‘Blackberry’, sekuestruar shtetases Viola Haxhiademi, rezulton se më 21 qershor 2019, në aplikacionin ‘WhatsApp’, shtetasja Belinda Balluku ka krijuar grupin e titulluar ‘Dhërmi’.”

Vila 188/1 në Palasë

Kërkesat e klientes me status të veçantë ishin aq të larta sa vihnin në vështirësi edhe studion më të mirë të arkitekturës në Shqipëri. Edhe pse e mbajtur me rreptësi në fshehtësi, detajet tradhtojnë identitetin e saj. Pas vilës së parë, një tjetër, ku janë investuar mbi 800 mijë euro, u zbulua në Palasë, në resortin “Green Coast”. Vila 188/1 u sekuestrua nga SPAK me vendim të GJKKO në fillim të shtatorit të këtij viti. Sipas gjetjeve, ajo fillimisht u bler nga Igli Tare, por më pas kaloi te një pronar tjetër, ku u investuan qindra mijëra euro, me vlerë disa herë më të madhe se çmimi i blerjes.

Klientja speciale, sipas SPAK, rezultoi të jetë Belinda Balluku. Ndërsa prokuroria ka çuar emrin e saj në Kuvend për heqjen e imunitetit, kryeministri Rama vazhdon ta mbajë këtë kërkesë peng. Ndërkohë, Balluku, pavarësisht akuzave të rënda për korrupsion në tenderët e Unazës së Tiranës (lotet 4, 5, 6 dhe 7) dhe për aferën e Tunelit të Llogarasë, vazhdon të shëtitë e lirë nëpër rrugët e Tiranës, dhe të paraqitet edhe në Kuvend.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha