Vjedhja e parave në Ballsh dhe shiriti “Çifti me jetë të lumtur”
Dosja hetimore për vjedhjen e rreth 43 mijë eurove dhe 1 milion lekëve në një agjenci udhëtimi në Ballsh, më 26 mars, përshkruan një plan të përgatitur me kujdes. Kristi Jorgji, prokurori që hetoi çështjen, e ka dërguar tashmë në gjykatë. Sipas tij, grabitësit u zbuluan përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe një kërkimi në disa pika shitjesh që tregtojnë letra me mbishkrime.
Sipas dosjes, plani u organizua disa orë përpara grabitjes. Tre persona morën fillimisht një Audi A4 me portobagazh dhe më pas shkuan në një kompani makinash me qira në Fier, ku morën edhe një Honda Jazz të zezë. Një detaj tjetër që i ka tërhequr vëmendjen hetuesve është blerja e një shiriti adeziv të kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”, i përdorur për të mbuluar targat e Audit që shfaqet në pamjet e ditës së ngjarjes.
Si u krye vjedhja
Më 26 mars, rreth orës 16:17, Ferat Shehaj, punonjës i agjencisë, kishte lënë mbi tavolinë një çantë shpine dhe disa qese me para, ndërsa ishte larguar për pak çaste për të marrë automjetin e tij, të parkuar rreth 100 metra larg. Në çantë ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë.
Një person i veshur me të zeza, me kapuç, kapelë dhe doreza, hyri në ambient dhe mori vetëm çantën, pa u vonuar për të kontrolluar sendet e tjera mbi tavolinë. Sipas hetuesve, kjo mënyrë veprimi ngre dyshimin se autori kishte dijeni paraprake për vendndodhjen e parave.
Makina e zezë dhe shiriti i zbuluar
Pas vjedhjes, autori u largua me një Audi të zi me portobagazh, drejt Hekalit, Klosit dhe më pas Fierit. Viktima, pasi kuptoi se i ishin marrë paratë, u vu në ndjekje të automjetit dhe njoftoi policinë. Në dëshminë e tij, ai tha se në vend të targës kishte dalluar mbishkrimin “Çifti, jetë të lumtur”, me ngjyrë të kuqe.
Nga kamerat e sigurisë, hetuesit identifikuan një Audi A4 B8 të zi me portobagazh. Gjithashtu zbuluan se disa orë para vjedhjes, një nga të dyshuarit kishte hyrë në dyqanin “Gold Flower” në Fier dhe kishte blerë shiritin adeziv të kuq me atë mbishkrim.
Makina me qira dhe alibi i dyshuar
Honda Jazz, e marrë me qira po atë ditë në Fier, është një tjetër element i rëndësishëm. Sipas prokurorisë, automjeti u mor nga Anna Meissane Boudiaf, ndërsa dy persona të tjerë ndihmuan në sigurimin e makinës.
Kamerat rindërtuan lëvizjet e tre personave gjatë paradites. Në orën 10:53, Audi i zi arriti në një servis automjetesh në rrugën Fier-Patos, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku zbritën të tre të dyshuarit, të cilët më pas morën Honda Jazz-in. Në orën 11:47, kamerat e filmuan një nga të dyshuarit duke blerë shiritin pranë dyqanit të luleve.
Sipas prokurorisë, Honda Jazz u përdor për të krijuar një alibi dhe për të fshehur lëvizjet e personit që dyshohet se kreu vjedhjen. Të dhënat GPS tregojnë se automjeti ishte në qarkullim gjatë orarit të ngjarjes dhe rifilloi lëvizjen pas orës 18:39.
Dyshimet për bashkëpunim
Dosja përfshin edhe një komunikim të Shehajt me një të njohur që jetonte në Greqi. Ky i fundit i përcolli një mesazh sipas të cilit vëllai i njërit prej të dyshuarve kishte pranuar se e kishte kryer vjedhjen, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Shehajn, pasi ky nuk i kishte prerë një biletë avioni. Bisedat në Messenger janë administruar nga hetuesit.
Gjatë marrjes në pyetje, një nga të dyshuarit deklaroi se kishte ndihmuar një të njohur të merrte një automjet me qira në Fier, duke përshkruar takimin dhe lëvizjet e asaj dite.
Prokuroria e Fierit arriti në përfundimin se tre persona kishin role të ndryshme: një dyshohet si organizator dhe ekzekutor, një e dyshuar si ndihmëse për krijimin e alibisë, ndërsa i treti për sigurimin e automjetit me qira dhe lëvizjet e të dyshuarve. Prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të Gëzim Fejzullës, Anna Meissane Boudiaf dhe Arsen (Odise) Saliajt, të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim me pasojë të rëndë.
Burimi: top-channel.tv










