Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Të ndryshme

Tirana mbledh ekspertë dhe organizata për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve në Shqipëri

Tirana mbledh ekspertë dhe organizata për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve në Shqipëri

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Vet Hospital Tirana do të mbahet Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Mirëqenien e Kafshëve në Shqipëri, me temën “Nga shpëtimi te parandalimi: Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të mirëqenies së kafshëve në Shqipëri”.

Kjo konferencë organizohet nga Animal Rescue Albania, së bashku me organizata vendase dhe me përkrahjen e Vet Hospital Tirana, Oreo dhe Toni. Në të do të marrin pjesë organizata shqiptare dhe ndërkombëtare, përfaqësues të institucionesh publike, veterinerë dhe ekspertë, të cilët do të diskutojnë zgjidhje afatgjata për braktisjen, keqtrajtimin dhe numrin e lartë të kafshëve pa pronar.

Moderimi i konferencës do të bëhet nga Sara Turetta, themeluese dhe Presidente e Save the Dogs and Other Animals.

Për shumë vite, përpjekjet për mbrojtjen e kafshëve në Shqipëri janë mbështetur kryesisht në punën e vullnetarëve dhe të organizatave: shpëtime individuale, trajtime veterinare, strehim, adoptime dhe fushata sterilizimi. Këto ndërhyrje shpëtojnë jetë, por burimet, mbulimi dhe vazhdimësia e tyre mbeten të pamjaftueshme për të përballuar përmasat e problemit në nivel kombëtar.

Sipas Animal Rescue Albania, pas më shumë se gjashtëmbëdhjetë vitesh punë në terren, nevoja për ndryshim është e qartë: përkushtimi i vullnetarëve dhe i organizatave nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e shtetit dhe as të kompensojë pa fund mungesën e politikave të koordinuara, të financimit të qëndrueshëm dhe të zbatimit të ligjit.

Konferenca synon ta kalojë diskutimin nga menaxhimi i emergjencave te parandalimi i shkaqeve që i shkaktojnë ato. Temat do të përfshijnë përgjegjësitë e institucioneve dhe të bashkive, parandalimin e braktisjes, identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, programet sistematike të sterilizimit dhe të vaksinimit, zbatimin e ligjit, transparencën dhe aksesin në shërbime veterinare. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes për shoqërinë civile dhe bashkëpunimit ndërmjet organizatave, institucioneve dhe profesionit veterinar.

Përmes shkëmbimit të përvojave shqiptare dhe ndërkombëtare, synohet të identifikohen zgjidhje të zbatueshme për Shqipërinë dhe të formulohen rekomandime konkrete që do të shërbejnë si bazë për një dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.

Në qendër të këtij takimi qëndron një pyetje: Çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri që më pak kafshë të përfundojnë në rrugë, në vuajtje dhe në nevojë për shpëtim?

Për informacion dhe për pjesëmarrjen e mediave:
Animal Rescue Albania [email protected]

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha