Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Vllaznia përmbys Besëlidhjen, shkodranët dhe Teuta kryesojnë Superligën

Vllaznia përmbys Besëlidhjen, shkodranët dhe Teuta kryesojnë Superligën

Superliga shqiptare e basketbollit për meshkuj ka zhvilluar këtë fundjavë ndeshjet e javës së tretë. Besëlidhja, kampione në fuqi, u mposht 84-82 nga Vllaznia në “Asllan Rusi”, duke pësuar humbjen e parë të sezonit. Skuadra mysafire arriti një fitore me përmbysje.

Lezhjanët kryesonin 51-34 në fund të pjesës së parë, por nuk mundën ta mbanin këtë epërsi deri në fund. Vllaznia u rikuperua në 20 minutat e dyta dhe fitoi në sekondat e fundit falë Mogbo, i cili shënoi 20 pikë dhe mori 11 rebound.

Teuta dhe Partizani

Teuta siguroi një fitore të vështirë, duke mundur 80-72 Skënderbeun në fushën e saj, në një ndeshje të fortë deri në fund. Hubbart me 22 pikë ishte shënuesi më i mirë për durrsakët, të cilët mbeten ende të pamposhtur, ndërsa 23 pikët e Carter për korçarët mbetën vetëm për statistikë.

Pas kohës shtesë fitoi Partizani, që mundi 103-95 Flamurtarin në Vlorë dhe arriti fitoren e parë të sezonit. Edhe pse Engels realizoi 33 pikë për vlonjatët, ato nuk mjaftuan për të fituar, ndërsa për kryeqytetasit shkëlqeu Mejia, autor i 41 pikëve, lider në fushë.

Kamza Basket dhe Tirana

Surprizoi Kamza Basket, që triumfoi 77-74 në Fier ndaj Apolonisë, në një sfidë të ekuilibruar deri në sekondën e fundit. Dyshja Hancik-Morammed për kamzalinjtë realizoi 43 pikë, duke fituar duelin me dyshen Thames-Davis, që realizoi 45 pikë për fierakët.

Fitoren e parë të sezonit arriti Tirana, që mundi 110-65 Pogradecin dhe duket se po del nga kriza. Në ndeshjen e luajtur në “Fahtir Hoti”, skuadra bardheblu u shkëput që në periodën e parë dhe e thelloi avantazhin, ndeshje ku diferencën e bëri Kok, autor i 24 pikëve.

Superliga-Meshkuj, java e 3-të

Flamurtari – Partizani, 95-103

Apolonia – Kamza Basket, 74-77

Tirana – Pogradeci, 110-65

Teuta – Skënderbeu, 80-72

Besëlidhja – Vllaznia, 82-84

Elbasani (pushim)

Renditja: Vllaznia 6 pikë, Teuta 6 pikë, Besëlidhja 5 pikë, Kamza Basket 4 pikë, Partizani 4 pikë, Skënderbeu 4, Tirana 4 pikë, Elbasani 3 pikë, Pogradeci 4 pikë, Flamurtari 3 pikë, Apolonia 3 pikë.

Burimi: telesport.al

Të fundit Të gjitha