Erik ten Hag ka rikthyer në qendër të vëmendjes polemikat për kohën e tij te Manchester Unitedi, duke kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon lidhur me angazhimin në stërvitje dhe gatishmërinë për të zbatuar detyrat taktike.
Në një intervistë për The Athletic, ish-trajneri i “Djajve të Kuq” u shpreh se sulmuesi portugez e kishte zhgënjyer, pasi klubi kishte planifikuar të mbështetej tek ai, raporton “Gazeta Express”.
“E la ekipin në baltë dhe më zhgënjeu, sepse kishim plane me të”, deklaroi Ten Hag.
Holandezi pohoi se Ronaldo nuk i plotësonte kërkesat fizike dhe taktike që ai kërkonte prej tij, sidomos në lëvizjet drejt zonës së rreptësisë dhe në presingun ndaj kundërshtarëve.
“I thosha shpesh: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për të të vendosur në pozicionin e duhur, por nëse nuk arrin të futesh në zonë, nuk mund të shënosh’. Ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tregoi Ten Hag.
“Nuk vraponte as me top, as pa top”
Ish-trajneri i Unitedit mohoi se kishte kërkuar që Ronaldo të kryente detyra për të cilat nuk ishte i përshtatshëm. Sipas tij, problemi qëndronte te përgatitja dhe angazhimi i futbollistit.
“Ai nuk vraponte as kur kishim topin, as kur nuk e kishim. Arsyeja ishte se nuk ishte përgatitur siç duhej”, deklaroi holandezi.
Ten Hag shtoi se çdo skuadër e madhe duhet ta përshtatë lojën për yjet e saj, por edhe futbollistët më të mirë duhet të punojnë për ekipin.
“Çdo skuadër e madhe duhet ta pranojë lojtarin e saj më të mirë, por lojtari më i mirë duhet të punojë për ekipin. Për disa, Manchester Unitedi nuk ishte prioriteti kryesor”, përfundoi ai.
Marrëdhënia përfundoi me ndarje
Ronaldo dhe Ten Hag patën një marrëdhënie të tensionuar gjatë periudhës së tyre në Manchester. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2022, kur portugezi refuzoi të hynte si zëvendësues ndaj Tottenhamit dhe më pas kritikoi publikisht klubin në një intervistë.
Në nëntor të atij viti, palët e ndërprenë kontratën me marrëveshje të përbashkët, ndërsa Ronaldo më pas iu bashkua Al-Nassrit në Arabinë Saudite. /Gazeta Express
Burimi: www.gazetaexpress.com










