Kylian Mbappe ka treguar një zakon të veçantë që e ka pasur që në fëmijëri. Ylli i Real Madridit luan futboll pa shtrojën e brendshme të këpucëve, edhe pse sot ka këpucë sportive të bëra posaçërisht për nevojat e tij.
Sulmuesi francez ka befasuar me rrëfimin e tij, duke treguar se kjo veçori filloi kur ishte fëmijë dhe me kalimin e viteve është kthyer në një zakon nga i cili nuk arrin të heqë dorë.
I pyetur për sekretet që fshihen pas paraqitjeve të tij në fushën e lojës, Mbappé u përgjigj me humor, përpara se të zbulonte detajin e pazakontë.
“Ka një milion sekrete për Kylianin! Por ideja kryesore e një sekreti është të mos e zbulosh, apo jo?”, u shpreh francezi.
Më pas, sulmuesi i Real Madridit tregoi se bëhet fjalë për një zakon që nuk e konsideron aspak të mirë, por që vazhdon ta praktikojë edhe sot.
“Kam një zakon shumë të keq dhe nuk është diçka e mirë, por gjithsesi e bëj: luaj pa shtrojën e këpucëve”, rrëfeu ai.
Mbappé shfrytëzoi rastin edhe për t’u dhënë një këshillë fëmijëve që luajnë futboll, duke i paralajmëruar të mos bëjnë të njëjtin gabim.
“Mos e hiqni shtrojën nga këpucët! Lëreni në vendin e saj! Unë e bëra këtë gabim kur isha fëmijë dhe që atëherë kam luajtur pa të”, deklaroi sulmuesi.
Edhe pse sot përdor këpucë futbolli të personalizuara, 26-vjeçari pranoi se vazhdon ta heqë shtrojën për shkak të zakonit të krijuar në Bondy, vendlindjen e tij në periferi të Parisit.
Burimi: kohajone.com










