Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Kristian Shpendi shpreh dëshirën që ai dhe vëllai i tij të luajnë së bashku për Kombëtaren, duke u frymëzuar nga vëllezërit Espozito

Kristian Shpendi shpreh dëshirën që ai dhe vëllai i tij të luajnë së bashku për Kombëtaren, duke u frymëzuar nga vëllezërit Espozito

Kristian Shpendi po përjeton një periudhë shumë të mirë në Itali, ku është shpallur lojtari më i mirë për muajin shtator në Serinë B. Sulmuesi shqiptar ka folur rreth formës së tij aktuale, synimeve me skuadrën e Cesena-s dhe ëndrrës për të luajtur një ditë bashkë me vëllain binjak, Stivenin, në Kombëtaren shqiptare.

Me gjashtë gola të shënuar në pesë ndeshjet e para të kampionatit, Shpendi ka treguar potencialin e tij, duke u shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të Serisë B. Në një intervistë për mediumin italian “Chiamarsi Bomber”, sulmuesi ka pranuar se nuk e priste një fillim kaq të suksesshëm, por ka theksuar se qëllimi i tij mbetet përmirësimi nga një sezon në tjetrin.

“Nuk kam një objektiv të përcaktuar për numrin e golave. Preferoj t’i trajtoj gjërat ndeshje pas ndeshjeje dhe të jap kontributin tim për ekipin”, ka thënë Shpendi, duke shtuar se dëshiron të bëhet një pikë referimi edhe më e rëndësishme për bashkëlojtarët e tij.

Megjithatë, pjesa më prekëse e intervistës kishte të bënte me Kombëtaren shqiptare dhe vëllain e tij binjak, Stivenin. Kristian, i cili tashmë ka debutuar zyrtarisht me Shqipërinë, nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur së bashku me të në nivel ndërkombëtar.

“E mendoj këtë gjë çdo ditë, është praktikisht një nga qëllimet e mia, edhe me Stivenin bisedojmë për këtë. Do të ishte një ëndërr që të grumbulloheshim bashkë, të debutonim dhe të luanim një ndeshje krah për krah, ashtu siç bënë vëllezërit Espozito. Jam i bindur se për ta ka qenë një përvojë unike, ndërsa unë dhe vëllai im do të përpiqemi ta realizojmë të njëjtën ëndërr. Nuk kam asnjë dyshim për Stivenin, herët a vonë, do të vijë edhe radha e tij në Kombëtare”, ka deklaruar sulmuesi.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha