Ylli i Interit, Marcus Thuram, ia kushtoi golin e shënuar kundër Fiorentinës Lautaro Martinezit dhe shprehu shpresën që Topi i Artë të shkojë në duart e një francezi: “Kemi shumë lojtarë të talentuar”.
Thuram, lojtari i ndeshjes
Thuram u shpall lojtari më i mirë në triumfin 2-1 të Interit përballë Fiorentinës të dielën.
Francezi realizoi golin e barazimit në minutën e 90-të, ndërsa më pas fitoi një penallti që Piotr Zielinski e ktheu në gol.
“Ekziston besimi i një skuadre që e di se mund t’i fitojë ndeshjet në minutat e fundit. Sa herë që hyjmë në fushë, e dimë se ndeshja do të jetë e gjatë”, deklaroi Thuram për “DAZN” pas përfundimit të ndeshjes.
Francezi imitoi festimin e golit të kapitenit të Interit, Lautaro Martinez, i cili aktualisht është jashtë fushave për shkak të një lëndimi.
“Po, normalisht është ai që shënon në minutën e 90-të”, tha Thuram duke buzëqeshur.
Diskutimi për penalltitë
Siç u përmend më herët, Thuram shënoi një gol dhe fitoi një penallti, por në pjesën e dytë kishte kërkuar edhe një tjetër penallti, vetëm pak minuta pas golit të parë të Alex Jimenezit. Në xhiron e kaluar, Thuram ishte ndëshkuar me karton të verdhë për simulim gjatë ndeshjes si mysafir kundër Bolognas.
“Është e çuditshme, sepse sa herë që jam në fushë, duket sikur gjyqtari mendon se po simuloj”, tha Thuram.
“Pastaj e pashë përsëritjen e rastit kundër Bolognas dhe dëgjova se ishte penallti. Gabime mund të ndodhin. Duhet të vazhdoj t’i sfidoj kundërshtarët, të krijoj raste brenda zonës dhe, në fund, do të ma akordojnë një penallti, siç ndodhi sot”.
Bashkëkombësi i Thuramit, Mbappe, është ndër favoritët për ta fituar Topin e Artë nesër.
“Shpresoj që një francez ta fitojë”, përfundoi Thuram.
“Kylian, Dembélé, Olise. Kemi shumë lojtarë të talentuar që mund ta fitojnë dhe shpresoj që të jetë një francez”.
Zielinski ia siguroi fitoren Interit, duke shënuar nga penalltia në minutën e 97-të.
“Sigurisht që ishte shumë e rëndësishme. Por, sinqerisht, isha i qetë dhe i bindur se do të shënoja. Jemi të lumtur dhe duhet të vazhdojmë kështu”, tha reprezentuesi i Polonisë.
“Ne nuk mendojmë për kritikat, por përpiqemi të japim gjithçka nga vetja. Nëse i shikoni rezultatet, ato janë të shkëlqyera. Përveç ndeshjes kundër Brugge, kemi luajtur gjithmonë mirë. Nuk na interesojnë kritikat”./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com










