Portugalia nuk do ta heqë nga përdorimi fanellën me numrin 7 pas largimit të Cristiano Ronaldos, edhe pse kjo fanellë ka qenë për më shumë se dy dekada një nga simbolet kryesore të yllit portugez me kombëtaren.
Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s
Arsyeja lidhet me rregullat e FIFA-s, të cilat nuk u lejojnë kombëtareve të meshkujve të tërheqin përgjithmonë numrat e fanellave, pavarësisht rëndësisë dhe trashëgimisë së futbollistëve që i kanë mbajtur ato.
Numri 7 ka vijuar të përdoret edhe pas epokës së Ronaldos. Në grumbullimin e fundit të Portugalisë, fanellën e veshi Rafael Leao, ndërsa më herët, në periudhat kur Ronaldo mungonte, atë e kanë mbajtur Nani, Ricardo Quaresma, Bruma dhe Andre Silva.
Përdorimi i saj kërkohet edhe nga rregulloret e UEFA-s, sipas të cilave numrat e fanellave duhet të përcaktohen për çdo ndeshje zyrtare. Për këtë arsye, Portugalia nuk mund ta lërë numrin 7 jashtë qarkullimit.
Propozimi i Paulo Futres
Paulo Futre, ish-futbolltar i kombëtares portugeze, kishte hedhur idenë që fanella të tërhiqej si nderim për Cristiano Ronaldon, por propozimi nuk mund të zbatohet për shkak të rregullave ndërkombëtare.
Rrjedhimisht, numri 7 do të vazhdojë të jetë pjesë e kombëtares së Portugalisë, edhe pse në kujtesën e tifozëve dhe në historinë e futbollit do të mbetet i lidhur fort me Cristiano Ronaldon.
Burimi: www.albeu.com









