LONDËR, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Mike Love, kryevokalisti i grupit “The Beach Boys”, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare, njoftoi një përfaqësues i muzikantit.
Njoftimi për familjen dhe fansat
Në një deklaratë për median amerikane “Variety”, përfaqësuesja për shtyp e Love, Katie Altman, tha se me respekt të thellë njofton se Mike Love ndërroi jetë këtë mbrëmje, i rrethuar nga familja e tij.
“Si një ikonë e kulturës amerikane, ai do të mbahet mend për talentin e tij të veçantë dhe si frymëzim për breza të tërë muzikantësh. Ne kremtojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën amerikane dhe gëzimin që ai ndjente ndërsa performonte për fansat e tij të dashur”, theksoi ajo.
Reagimi i miqve dhe gjendja shëndetësore
Miku i Love, John Stamos, u shpreh se ishte “një privilegj të duash dikë aq shumë, saqë dhimbja të jetë kaq e madhe”.
Ai shkroi në Instagram se “sonte, do të qaj derisa të më zërë gjumi. Nuk më kujtohet hera e fundit që e kam bërë këtë. Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime duke festuar gëzimin që ai solli. Tani po kuptoj se sa më i madh gëzimi, aq më i thellë është pikëllimi.”
Në tetor, Stamos zbuloi se Love po “përballej me sfida serioze shëndetësore”. Ai tregoi se mjekët i kishin kërkuar Lovit të “përqendrohej te shëndeti i tij”, por ai këmbënguli të performonte për fansat e tij.
Stamos ka performuar me “The Beach Boys” që nga viti 1985 dhe ka theksuar se ishte Love ai që e mësoi se si të argëtonte publikun.
Performanca e fundit e Love u zhvillua më 10 tetor në “Ryman Auditorium” në Nashville. Në një postim në Instagram në qershor, ai kishte treguar se po rikuperohej nga bronkiti dhe Covid-19.
Trashëgimia e grupit
Grupi “The Beach Boys” u formua në vitin 1961 dhe, gjatë karrierës së tyre, kanë shitur më shumë se 100 milionë disqe. Një nga bashkëthemeluesit e grupit, Brian Wilson, ndërroi jetë në vitin 2025 në moshën 82-vjeçare.
Burimi: ata.gov.al










