Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Sa shpesh duhet të kryejnë kontrolle mjekësore personat me obezitet dhe kur duhet t’i nisin ato

Sa shpesh duhet të kryejnë kontrolle mjekësore personat me obezitet dhe kur duhet t’i nisin ato

Individët që përballen me obezitetin duhet të ndjekin kontrolle të rregullta mjekësore për të përcaktuar rrezikun e komplikacioneve dhe për të vepruar në kohë, përpara se të shfaqen çështje më të rënda. Vlerësimi i peshës, indeksit të masës trupore, perimetrit të belit, nivelit të sheqerit dhe yndyrnave në gjak, si dhe tensionit arterial, përbëjnë disa nga kontrollet thelbësore.

Endokrinologia Dr. Sara Zavalani, e ftuar në serinë e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, sqaroi se kontrollet duhet të fillojnë që në momentin e diagnostikimit të obezitetit, ndërsa shpeshtësia e tyre caktohet sipas gjendjes shëndetësore dhe komplikacioneve të mundshme.

Siç theksoi mjekja, hapi i parë konsiston në matjen e peshës dhe gjatësisë për të njehsuar indeksin e masës trupore (BMI), bashkë me matjen e perimetrit të belit. Këto të dhëna ndihmojnë në vlerësimin e shpërndarjes së masës dhjamore dhe të rrezikut për shëndetin.

Një kontrolle tjetër i rëndësishëm është matja e hemoglobinës së glukozuar (HbA1c), e cila ndihmon në vlerësimin e nivelit mesatar të sheqerit në gjak gjatë muajve të fundit. Dr. Zavalani sqaroi se, te pacientët me diabet, ky test mund të kryhet çdo tre muaj, ndërsa te personat pa diabet, sipas saj, mund të vlerësohet një herë në vit, në varësi të rrezikut individual dhe rekomandimit të mjekut.

Kontrollet përfshijnë gjithashtu lipidogramën, për të vlerësuar yndyrnat në gjak. Nëse evidentohen çrregullime, analizat mund të përsëriten pas tre muajsh, ndërsa në rastet pa probleme, monitorimi mund të bëhet çdo vit, sipas vlerësimit mjekësor.

Kontrolli i tensionit arterial është po ashtu thelbësor. Dr. Zavalani rekomandoi vlerësim të rregullt kardiologjik, të paktën një herë në vit, ndërsa personat që kanë tension të lartë ose probleme të tjera shëndetësore mund të kenë nevojë për kontrolle më të shpeshta, për shembull çdo gjashtë muaj, ose sipas udhëzimeve të mjekut.

Për personat me obezitet që nuk kanë ende komplikacione, kontrollet vjetore shërbejnë për të monitoruar gjendjen shëndetësore dhe për të parandaluar shfaqjen e problemeve të tjera. Nëse diagnostikohen komplikacione, nevojitet trajtim dhe ndjekje më e shpeshtë, në varësi të rastit.

Sipas endokrinologes, qëllimi kryesor është identifikimi dhe trajtimi i obezitetit përpara se masa e tepërt dhjamore të shkaktojë dëmtime në organe të ndryshme të trupit. Për këtë arsye, kontrollet nuk duhen shtyrë deri në momentin kur shfaqen simptoma apo sëmundje shoqëruese.

Shpeshtësia e analizave dhe konsultave duhet të përshtatet me gjendjen e secilit pacient, faktorët e rrezikut dhe udhëzimet e mjekut, pasi jo të gjithë personat me obezitet kanë të njëjtat nevoja për monitorim.

Burimi: living.al

Të fundit Të gjitha