Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Nga jeta e Al Pacinos te sekretet familjare, 6 libra që zgjojnë kureshtjen

Nga jeta e Al Pacinos te sekretet familjare, 6 libra që zgjojnë kureshtjen

Autobiografia e aktorit Al Pacino u rendit menjëherë ndër bestsellerët e New York Times. Libri përshkruhet si një rrëfim i sinqertë nga vetë aktori, i cili tregon për një jetë të gjatë që, siç e shpreh ai vetë, e ka mësuar të mos ketë frikë nga asgjë. Pacino sjell kujtime nga fëmijëria e vështirë në Bronx dhe nga hapat e parë në skenën teatrale, përpara se të kthehej në yll të Hollivudit. Ai ofron një analizë të roleve dhe të karrierës së tij, me histori nga prapaskenat me mentorë e bashkëaktorë, duke dhënë një këndvështrim mbi kryeveprat kinematografike në të cilat ka luajtur.

Freshwater – Virginia Woolf

Shtëpia e fotografes Xhulia është një skenë ku të gjithë pozojnë dhe flasin me zë të lartë. Tenisoni, poeti, reciton me vrull profetik; Uotsi, piktori, ndeshet me një gisht të madh këmbe, ndërsa filozofi Çarls e ëndërron Indinë si një mirazh ekzotik. Në këtë botë vanitetesh, Elena, një aktore e re, kërkon një rrugë për t’i shpëtuar rrethit të të mëdhenjve që e duan të palëvizshme si një muzë, derisa mbërritja e nëntogerit Xhon prish magjinë dhe ekuilibrin e këtij universi ekscentrik. Me një ironi që di të ledhatojë e të thumbojë, Woolf-i i shndërron mitet familjare në figura të gjalla e komike, duke krijuar portretin më lozonjar dhe më të pacipë të botës nga vjen.

Korrespondentja – Virginia Evans

Çdo mëngjes Sibila van Antuerp ulet dhe shkruan letra. Ajo shkëmben letra me të vëllanë, me shoqen e ngushtë, me shoqet e klubit të kopshtarisë, me një adoleshent, me dekanen e fakultetit të letërsisë dhe me autorët e saj të preferuar. Letra më e rëndësishme dhe më e gjatë – ajo në të cilën Sibila i rrëfehet një personazhi të paidentifikuar – është letra që ajo nuk e dërgon kurrë. Dhe pikërisht kur duket se jeta e saj ka marrë një rrjedhë të qetë, një letër e papritur e detyron të përballet me një nga periudhat më të dhimbshme të së kaluarës. Në këtë përballje, ajo duhet të gjejë kurajën të shfaqë gjithë brishtësinë që mbart brenda, të pranojë gabimet dhe t’ia falë ato vetes.

Amaneti – Vigdis Hjorth

Katër vëllezër e motra. Dy shtëpi verore. Një sekret i tmerrshëm. Një grua shëtit qenin në dëborë, pi verë buzë oxhakut dhe përsiatet mbi konfliktin e trashëgimisë që po e tërheq drejt familjes nga e cila u arratis vite më parë. Teksa e shkuara rikthehet me plagët e saj, ajo përballet me pyetjen: sa pushtet duhet t’u lejojmë hijeve të së kaluarës në jetën tonë të tanishme? Romani hedh një vështrim mbi një familje të copëtuar nga plagët e së kaluarës, një meditim mbi traumat dhe mënyrën se si e shkuara vazhdon të ndikojë në të tashmen.

Posedimet – Llucia Ramis

Ngjarjet vendosen në vitin 1993, kur një biznesmen madrilen i falimentuar vetëvritet, pasi vret bashkëshorten dhe djalin. Narrativa lëviz mes kronikës dhe thriller-it, duke depërtuar në të kaluarën familjare, në marrëdhëniet sentimentale, tradhtitë, ambiciet dhe frustrimet, nga të cilat kuptojmë si e ndërtojmë identitetin tonë dhe si lidhemi pas sendeve e njerëzve që duam, edhe pse e dimë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Romani ndërthur disa linja paralele brenda një spiraleje emocionale që hedh dritë mbi gjithçka që njeriu e humb gjatë rritjes.

Midis dy botëve – Hadley Vlahos

Të flasësh për vdekjen konsiderohet tabu edhe në mjekësi. Idetë tona për të janë të turbullta: A do të na kalojë gjithë jeta para syve? A do të shohim një dritë në fund të tunelit? Në librin “Midis dy botëve”, infermierja Vlahos rrëfen përvojat e saj më mbresëlënëse në kujdesin për njerëzit në fund të jetës, duke na bërë të kuptojmë se ky proces mund të na mësojë aq shumë për të. I shkruar me detaje, me përulësi dhe me respekt, libri plot ngjarje të vërteta tregon se si dashuria dhe kujdesi për tjetrin mund të jenë jetëndryshues.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha