Reperi i mirënjohur nga Kosova, Capital T, kishte shprehur së fundmi mbështetje për protestat që po zhvillohen në Shqipëri. Ai i bëri thirrje mediave kosovare që t’i kushtojnë vëmendje më të madhe situatës në vend dhe zërit të qytetarëve që po manifestojnë.
View this post on Instagram
Në një status të publikuar në platformat sociale, artisti vuri theksin te rëndësia e gazetarisë së lirë dhe raportimit pa filtra, duke theksuar se mediat kanë detyrimin të njoftojnë opinionin publik për tema që prekin interesin e përgjithshëm.
Pas këtij qëndrimi, në media u shpërnda një regjistrim audio i një bisede telefonike mes Capital T dhe një personi që pretendohet të jetë punonjës i Policisë së Tiranës.
Sipas Dosja.al, e cila deklaron se ka siguruar regjistrimin, oficeri Niko Kurti e kontaktoi artistin me telefon, duke e pyetur për vendndodhjen e tij dhe për planet e kthimit në Tiranë.
Gjatë bisedës, Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, i ka bërë me dije se ndodhej në Shtetet e Bashkuara dhe se nuk kishte një datë të përcaktuar për t’u rikthyer.
Në një çast të telefonatës, oficeri i kërkon reperit të mos e ndërpresë lidhjen, ndërsa më pas e pyet për identitetin, duke iu drejtuar me emrin e plotë: “Trim Ademi je?”.
Bazuar në materialin e botuar nga Dosja.al, punonjësi i policisë i thotë reperit se dëshiron ta pyesë për një çështje të caktuar, por që kjo bisedë duhet të bëhet ballë për ballë dhe jo përmes telefonit.
Në përfundim të bisedës, ai i kërkon Capital T-së që, pasi të kthehet nga Amerika, ta kontaktojë në numrin nga i cili po e telefononte dhe të shkojë në ambientet e punës së tij për një takim të drejtpërdrejtë.
Telefonata vjen pas reagimit publik të reperit lidhur me protestat në Shqipëri. Megjithatë, nga përmbajtja e publikuar nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur nëse kjo telefonatë ka lidhje të drejtpërdrejtë me qëndrimin e tij ndaj protestave. /Prive By LS
privebruto.com










