Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

FIFA ndëshkon Spanjën për thirrjet anti-islame në ndeshjen me Egjiptin

FIFA ndëshkon Spanjën për thirrjet anti-islame në ndeshjen me Egjiptin

FIFA ka marrë masa ndëshkimore ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit, pas thirrjeve me përmbajtje antiislame që u dëgjuan nga një grup tifozësh në ndeshjen miqësore Spanjë–Egjipt, e luajtur në mars si pjesë e përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.

Sipas BBC-së, Spanja është e detyruar ta zhvillojë miqësoren e ardhshme me 15 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur, kryesisht në tribunat prapa portave, si dhe të paguajë një gjobë prej 20 mijë dollarësh.

Gjatë takimit, i cili u mbyll 0:0, disa tifozë spanjollë lëshuan slogane diskriminuese, përfshirë thirrjen “Kush nuk kërcen është mysliman”.

Në ekranet e stadiumit u shfaqën mesazhe kundër diskriminimit, por një pjesë e tifozëve u përgjigjën me fishkëllima.

Federata Spanjolle i dënoi publikisht këto thirrje, ndërsa trajneri Luis de la Fuente i quajti ato “të patolerueshme”.

Megjithatë, në mbrojtjen e saj para FIFA-s, federata pretendoi se thirrjet nuk përbënin sjellje diskriminuese. Komiteti disiplinor e refuzoi këtë argument.

Ky ndëshkim vjen në kuadër të përpjekjeve të futbollit ndërkombëtar për të luftuar racizmin dhe diskriminimin në tribuna. Edhe Federata Egjiptiane i dënoi thirrjet, duke i cilësuar si një akt racist të papranueshëm.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha