Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Shëndetësi

Komisioni kërkon llogari nga Vitia, Reshitaj: Ku shkuan mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësinë

Komisioni kërkon llogari nga Vitia, Reshitaj: Ku shkuan mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësinë

Anëtarët e komisionit për shëndetësi kanë kërkuar që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të raportojë për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, transparencën dhe objektivat e ministrisë për këtë mandat qeverisës.

Anëtarja e komisionit nga LDK-ja, Albena Reshitaj, tha se nuk pajtohet me vlerësimin se është herët për ta ftuar ministrin dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së në raportim, duke theksuar se, sipas saj, tashmë është vonë.

Ajo vuri në pah se gjatë pesë vjetëve të fundit janë dedikuar mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësinë dhe kërkoi të sqarohet nëse këto mjete kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimeve për pacientët.

“Nuk pajtohem me idenë që është herët për ta ftuar në raportim ministrin dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së. Mendoj se jemi vonë. Unë kam folur për punën e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion shëndetësor. Konsideroj se është shumë e rëndësishme. Janë mbi 1.8 miliardë euro që janë dedikuar për shëndetësi këto pesë vjet dhe është shumë me rëndësi nëse ato kanë arritur në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët”, tha Reshitaj.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, tha se programi qeveritar ishte paraqitur në Kuvend, por zbatimi i tij ishte penguar nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Sipas tij, tashmë institucionet janë funksionale dhe ministritë e dinë planin që duhet ta zbatojnë.

“Tri herë kryeministri e ka paraqitur programin e qeverisë, mirëpo fatkeqësisht për shkak të zgjedhjeve që shkaktoheshin një pas një, asnjëherë nuk mund të implementohej deri tash. Fatmirësisht i kemi të gjitha institucionet dhe secila ministri e di planin dhe planprogramin që duhet ta zbatojë”, tha Azemi…

Kësaj deklarate iu kundërpërgjigj deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila theksoi se diskutimi nuk ka të bëjë me premtimet elektorale, por me vizionin dhe qartësinë e qeverisë për sektorin e shëndetësisë.

Ajo kërkoi që Ministria e Shëndetësisë të paraqesë objektivat konkrete për mandatin qeverisës dhe një agjendë të qartë parlamentare.

“Z. Azemi, ne tash nuk po flasim për programe elektorale, por po flasim për vizion dhe qartësi të qeverisë. Ne kemi pasur shumë shpesh zgjedhje, kemi dëgjuar çfarë kanë thënë ministrat, kryeministri gjatë fushatave zgjedhore. Por sot, meqë kemi qeveri dhe institucione dhe kuvend, është e domosdoshme që ne të flasim për një program qeverisës, me agjendë të qartë parlamentare, të cilën nuk e kemi. Nuk po flas për premtime që janë dhënë gjatë fushatave, e kemi parë sa janë përmbushur”, tha ajo.

Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, vlerësoi se raportimi i ministrit është i domosdoshëm për të kuptuar punën e deritashme dhe planet për të ardhmen.

Ai përmendi edhe shqetësimet e qytetarëve lidhur me furnizimin me insulinë, duke thënë se ministrit duhet t’i jepet mundësia të raportojë dhe të japë llogari për punën e tij.

Sipas Ismailit, ministri Vitia nuk është i ri në këtë detyrë dhe duhet të shpjegojë para komisionit se çfarë është bërë deri më tani dhe cilat janë planet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha