Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Ekspertët paralajmërojnë: Qeset plastike të pacertifikuara po shiten në treg

Ekspertët paralajmërojnë: Qeset plastike të pacertifikuara po shiten në treg
Foto: shqiptarja.com

4 vite pas ndalimit, ekspertët ngrenë alarmin: Në treg qese plastike të pa certifikuara, nuk grumbullohen! Të përdoren ato prej letre

Më 30 maj 2022, Këshilli i Ministrave miratoi VKM-në nr. 367, e cila përcaktoi konkretisht qeset plastike të ndaluara, me trashësi më të vogël se 70 mikronë, kapacitet mbajtës nën 10 kg, përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi, si dhe qeset oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.

Më shumë se 4 vite pas ndalimit të qeseve plastike njëpërdorimshme me synimin për të reduktuar ndotjen, nga një investigim i Report Tv në disa prej tregjeve të Tiranës sot ende përdoren qeset jashtë standardeve dhe në shkelje të ligjit. Vitet e fundit kontrollet e pakta kanë sekuestruar mijëra kilogramë qese. Bizneset e vogla janë ato që abuzojnë më së shumti ndërsa marketet përdorin qese shumëpërdorimshme. Ekspertët ngrenë alarmin për mungesën e grumbullimit të tyre dhe thonë se qeset përfundojnë në landfille dhe në natyrë, ndërsa propozojnë nisma për shtimin e qeseve të letrës.

Ndalimi i vitit 2022 dhe zbatimi i tij

Që prej vitit 2022, përdorimi i disa kategorive të qeseve plastike në Shqipëri është ndaluar me ligj. Masa synonte të reduktonte përdorimin e plastikës dhe, mbi të gjitha, ndotjen që ajo shkakton në mjedis. Por sa është zbatuar në të vërtetë ky ndalim? Çfarë ka ndryshuar në këto vite dhe a vazhdojnë qeset plastike të jenë pjesë e përditshmërisë sonë?

Nga tre qese plastike, të cilat i morëm nga tre market të ndryshme në Tiranë, ajo që vihet re është trashësia e ndryshme e tyre. Por për të parë nëse përbërja e tyre është brenda normave që ligji përcakton, Report Tv ka realizuar komunikim me ekspertë të fushës.

Më 1 qershor 2022 hyri në fuqi ndalimi i disa kategorive të qeseve plastike njëpërdorimshme në Shqipëri. Sipas legjislacionit, në përdorim lejohen qeset me trashësi 70 mikronë e lart, të cilat janë më rezistente dhe mund të ripërdoren.

Nisma ligjore ishte prezantuar për herë të parë në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm i Mjedisit, Blendi Klosi, por zbatimi i saj u shty, për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kundërshtimeve nga bizneset që prodhonin dhe importonin qese plastike.

Para hyrjes në fuqi të ndalimit, vlerësohej se çdo person në Shqipëri përdorte mesatarisht rreth 3 qese plastike në ditë, ose rreth 3.2 miliardë qese në vit.

Kontrollet dhe rezultatet e tyre

Çfarë ndryshoi realisht pasi qeveria ndaloi qeset plastike? Më shumë se katër vite pas hyrjes në fuqi të ndalimit, përdorimi i qeseve plastike vijon të jetë një çështje që kërkon monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm.

Pas hyrjes në fuqi të ndalimit, zbatimi i ligjit është shoqëruar me kontrolle dhe inspektime të vazhdueshme nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Vetëm gjatë vitit 2024, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut kontrolloi rreth 520 subjekte tregtare dhe 648 subjekte ambulante, ndërsa kreu gjithsej rreth 1,336 inspektime për përdorimin e qeseve plastike. Nga kontrollet u konstatuan subjekte me qese jashtë standardeve ligjore dhe u sekuestruan në total rreth 463.8 kg qese jokonforme. Paralelisht, ISHMT zhvilloi edhe një fushatë ndërgjegjësuese, duke informuar rreth 3,245 subjekte mbi kërkesat ligjore për përdorimin e qeseve plastike.

Çfarë premtoi ndalimi në vitin 2022 dhe sa është realizuar në praktikë?

Mendimi i ekspertëve mbi standardet dhe alternativat

Gazetarja Aurora Hoxha: “Si mund të verifikohet nëse qeset që unë kam në dorë janë në përputhje me standardet ligjore?”

Lavdosh Feruni, ekspert mjedisi: “Nuk mund të jap një përgjigje të saktë, por me pamjen vizive të tyre dhe me ndjeshmërinë me gishta nuk kemi të bëjmë me qese të mirëfillta të biodegradueshme, por me qese të zakonshme me përqindje më të madhe të plastikës. Mendoj që nuk jemi në një situatë ku ndalimi i qeseve plastike të 4 viteve më parë ka pasur ndonjë efekt. Ishte një nga dështimet e radhës të Ministrisë së Mjedisit, për faktin kryesor se ka disa qese që përdoren kryesisht në supermarkete, por konsumi më i madh i qytetarëve dhe përdorimi më i madh i plastikës është në tregun e hapur ku shiten fruta dhe perime. Ato janë masivisht të përdorura dhe ishin, siç janë edhe tani, 100% plastike jashtë çdo standardi, me të njëjtin efekt negativ në ambient.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “A ka Shqipëria mekanizma për testimin dhe certifikimin e këtyre qeseve?”

Lavdosh Feruni: “Nuk është problem certifikimi i qeseve nëse Shqipëria nuk ka mekanizmat e duhur apo laboratorët përkatës për të certifikuar qeset plastike. Kjo mund të bëhet mirë në një shtet tjetër që e ka këtë mundësi. Nuk është ndonjë teknologji shumë e sofistikuar, mund ta ketë edhe Shqipëria. Nuk jam në informacion për këtë gjë, besoj që duhet ta ketë.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “A janë qeset mbi 70 mikronë një zgjidhje?”

Lavdosh Feruni: “Mendoj që zgjidhja duhet të jetë më radikale. Nuk ka shumë të bëjë me adaptimin e parametrave standardë, sepse ato janë lehtësisht të kalueshme nga bizneset. Duhet të kthehemi në përdorim masiv të letrës, siç ka qenë edhe para viteve ’90, kur nuk ekzistonte plastika në Shqipëri dhe ambienti ishte shumë i pastër në këtë drejtim.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “Pas katër vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ndalimi, çfarë ka ndryshuar dhe çfarë duhet përmirësuar në këtë nismë?”

Lavdosh Feruni: “Pati një përmirësim të lehtë në fillim. Pastaj menjëherë u hoq dorë nga ajo, për arsye edhe të çështjes së impaktit në çështjen elektorale. Për disa njerëz heqja e qeseve plastike ishte një lloj ndëshkimi, për arsye se duhej blerë apo shmangur, dhe kjo u gjykua nga ana politike si jo shumë në favor të mazhorancës. Kështu u kalua në neglizhimin total të përdorimit të qeseve plastike dhe ato u rikthyen në mënyrë të plotë, 100%, siç kishin qenë më parë.”

Riciklimi dhe fati i qeseve plastike

Por historia e një qeseje plastike nuk përfundon në momentin që ajo hidhet. Ajo mund të ripërdoret, të riciklohet, por mund të përfundojë edhe në ambientet rreth nesh. Në këtë pikë, rëndësi merr mënyra se si mblidhen dhe trajtohen mbetjet plastike në Shqipëri.

Problemi që ngre Lulzim Baumani është vështirësia e gjetjes së qeseve plastike. Ai thotë se mbledhja është e vështirë, pasi sipas tij, më mirë preferohet t’i digjen ose t’i hedhin në lumë, sesa t’i grumbullojnë për t’i riciklaur më pas.

Gazetarja Aurora Hoxha: “Ku e merrni lëndën për riciklim?”

Lulëzim Baumani: “Lënda për riciklim vjen kryesisht nga bizneset e zonës. Ne kemi partneritet me të gjitha bizneset e zonës, në bazë të një marrëveshjeje që kemi një herë në javë, ose gjithmonë kur ata kanë një sasi të caktuar, ne shkojmë dhe bëjmë tërheqjen e lëndës.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “Përsa i përket qeseve plastike, ato riciklohen bashkë me mbetjet e tjera plastike apo veçmas?”

Lulëzim Baumani: “Qese plastike këtu tek ne nuk vijnë, dhe pyetja duhet të jetë pse nuk vijnë, pavarësisht se ato kanë një mundësi riciklimi, sepse është material plastik i riciklueshëm. Besoj që një nga problemet është se qeset e plastikës janë super të holla. Meqenëse janë të holla, zakonisht humbasin me mbetjet e tjera ose përdoren nga familjarët për mbeturina të ndryshme, dhe prandaj 99.9% e rasteve qeset plastike përfundojnë në mbetjet familjare, pjesa më e madhe e të cilave përfundon në landfill. Rreth 10% e tyre përfundojnë në natyrë, në brigjet e lumenjve, për këtë arsye pothuajse asnjë lloj qese plastike tek ne nuk riciklohet.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “Si njohës dhe ekspert i plastikës, a mund të na thoni sa janë brenda standardeve qeset plastike të përdorura në treg?”

Lulëzim Baumani: “Qeset plastike që sot përdoren në treg janë ato qeset tipike njëpërdorimshme, pjesa më e madhe e të cilave janë ndaluar me ligj në bazë të një VKM-je, me specifika të caktuara, që nga qershori i 2022. Fillimisht pati një efekt. Tani, sikur e shikojmë çdo ditë, jo vetëm si ekspert por edhe si qytetar, kur shkojmë në bizneset e zonës, kryesisht në bizneset e vogla, ato kanë pafundësisht qese njëpërdorimshme, kështu që automatikisht ato nuk janë standard. Nuk janë brenda normave as të ligjit shqiptar, as të VKM-së shqiptare, por as edhe të kërkesave të BE-së për ndalimin e qeseve njëpërdorimshme. Ndërsa supermarketet vazhdojnë me qese shumëpërdorimshme që janë të trasha dhe janë shumë më të thjeshta për t’u ripërdorur dhe riciklaur. Prandaj qeset e vogla janë jashtë normave, e të trashat janë brenda normave.”

Gazetarja Aurora Hoxha: “Po çfarë ndodh me qeset që nuk mund të riciklohen? Ku përfundojnë ato?”

Lulëzim Baumani: “Siç e dimë, rreth 10% e mbeturinave në Shqipëri nuk grumbullohen, përfundojnë në lumenj apo në natyrë, ose digjen. Në rastin më të keq ato digjen përgjatë rrugëve. Kudo ta shikoni, sidomos autostradën Fushë-Krujë–Vorë, ku unë vazhdimisht bëj denoncime të djegieve të mbetjeve, një përqindje e mirë janë qeset. Një rast tjetër, akoma shumë më i keq, është kur këto qese bashkë me mbetjet urbane shtëpiake përfundojnë në brigjet e lumenjve. Pastaj pas çdo përmbytjeje ngrihet niveli i ujit dhe i shikojmë të shpërndara në të dy anët e lumit, por kryesisht edhe në pemë.”

Beteja me plastikën nuk përfundon me një ligj, por me mënyrën se si ai zbatohet dhe si ne i menaxhojmë mbetjet çdo ditë.

Qytetarët kanë përgjegjësinë të mos hedhin mbetje në tokë, ndërsa institucionet kanë detyrimin të sigurojnë koshat dhe kushtet për menaxhimin e tyre. Kur në lagjet tona mungojnë edhe koshat e zakonshëm të mbeturinave, e jo më ata që ndajnë mbetjet sipas materialeve, miratimi i disa ligjeve nuk vlen për asgjë.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha