Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pasur një përplasje verbale me një gazetare kroate gjatë konferencës për media, menjëherë pas procesit të votimit.
Kur gazetarja u përpoq t’i drejtonte një pyetje, ai e ndërpreu atë, duke theksuar se mediat serbe kanë përparësi.
“Prisni pak, ju kroatët – prisni, prisni – vetëm një moment. Ju kam kaq shumë qejf juve kroatëve, dhe më vjen kaq mirë që shoh kaq shumë prej jush këtu, saqë mezi di çfarë të them. Bëni pak durim; nuk jeni të vetmit këtu – këto janë zgjedhje serbe, jo kroate.”
Kritikat ndaj interesimit të mediave kroate
Ky nuk ishte momenti i vetëm i tensionuar.
Gjatë gjithë fjalës së tij, Vuçiç shprehu pakënaqësi për interesimin e tyre në lidhje me zgjedhjet në Serbi.
“E di që ju interesojnë shumë këto zgjedhje, por ju lutem, bëni pak durim. I jam përgjigjur tashmë një kroati; le të dëgjojmë dikë tjetër tani.”
Kur gazetarët kroatë i kërkuan të sqaronte pretendimet e tij për ndërhyrjen e Kroacisë në zgjedhjet serbe, Vuçiç nuk përmendi asnjë rast konkret.
“Nuk keni pse kërkoni ndonjë provë specifike. Mjafton të hapni cilëndo nga gazetat tuaja, të vizitoni ndonjë nga portalet tuaja informative ose të shikoni ndonjë nga kanalet tuaja televizive. Nga fyerjet dhe gënjeshtrat – ato më absurdet. Deri te ndërhyrja e drejtpërdrejtë në fushatë në çdo mënyrë të mundshme, përfshirë mbështetjen për njërën palë.”
Qëndrimi për rezultatet e zgjedhjeve
Diskutimi vazhdoi kur ai u pyet se çfarë do të bënte nëse do t’i humbiste zgjedhjet.
“Së pari, do t’ju jap diçka për t’u gëzuar, e më pas do të shoh se cilat do të jenë hapat e mi të mëtejshëm. Por, çfarë do të bëni ju kur ne të fitojmë sonte.”
Vuçiç mbërriti në qendrën e votimit së bashku me bashkëshorten e tij, Tamara; për shkak të pritjes së gjatë atij iu desh të priste për rreth dy orë.
Pasi votoi, ai deklaroi se do t’i pranonte rezultatet e zgjedhjeve, pavarësisht se cili do të ishte përfundimi.
Burimi: abcnews.al









