Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në shpërndarjen e kokainës në qytetin Stoke-on-Trent. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 241 qese me kokainë dhe mbi 11.900 paund cash, një pjesë e të cilave ishte fshehur brenda mobilies së televizorit.
Sipas Policisë së Staffordshire, Mikele Bilali, 26 vjeç, dhe Ervin Hasa, 25 vjeç, u paraqitën më 2 tetor përpara Gjykatës së Kurorës në Stoke-on-Trent, ku u shpallën dënimet për veprat penale që kishin pranuar.
Dënimet për Bilalin dhe Hasën
Bilali u dënua me 1 vit e 10 muaj burg, pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, drejtim të automjetit pa leje dhe pa siguracion. Ndërsa Hasa u dënua me 3 vite burg, pasi pranoi akuzat për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen dhe posedim të pasurisë kriminale.
Hetimi nisi gjatë një patrullimi policor në zonën Boothen, ku efektivët ndaluan një automjet të zi tip Mercedes, i drejtuar nga Bilali, pasi u tërhoqi vëmendjen mënyra e drejtimit të tij.
Gjatë kontrollit, policia gjeti telefona celularë të lidhur me Bilalin, ku u zbuluan mesazhe që dyshohet se kishin lidhje me shpërndarjen e drogës. Gjithashtu, u gjetën çelësa të një banese të përdorur nga Hasa, i cili iu afrua automjetit dhe komunikoi me drejtuesin.
Zbulimi i drogës dhe parave në banesë
Hasa u kontrollua nga policia dhe iu gjetën 19 qese të vogla me kokainë. Kontrolli i mëvonshëm në banesë çoi në zbulimin e rreth 10.700 paundëve të fshehura në një çantë të markës Gucci, brenda mobilies së televizorit. Në një kuti videolojërash u gjetën edhe 1.000 paund të tjera.
Në të njëjtën banesë, oficerët zbuluan më shumë se 210 qese me kokainë. Ndërkohë, gjatë kontrollit në ambientet e paraburgimit, Bilalit iu gjetën edhe 11 qese të vogla me kokainë, të fshehura në pantallona.
Në total, policia sekuestroi 241 qese me kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 9.500 paundësh, si dhe më shumë se 11.900 paund në para të gatshme.
Sipas autoriteteve, të dy shqiptarët fillimisht nuk pranuan të jepnin deklarata gjatë marrjes në pyetje, por më vonë u akuzuan dhe pranuan veprat penale përpara gjykatës.
Pas dhënies së dënimeve, kryeinspektori Steve Morrey, nga departamenti i specializuar i krimeve në Policinë e Staffordshire, deklaroi se të dy personat ishin të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në Stoke-on-Trent.
Ai theksoi se policia do të vijojë operacionet për identifikimin, goditjen dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në trafikun e drogës në zonën e Staffordshire.
Burimi: www.gazetatema.net









