Një shtetas shqiptar me të kaluar kriminale konsiderohet dyshuesi kryesor për shpërthimin që ndodhi në mesditën e së mërkurës (21 tetor) në zonën e Kolonosit në Athinë. Ngjarja shkaktoi plagosjen e dy personave civilë dhe dy efektivëve të policisë, ku njëri prej tyre pësoi lëndime të rënda në dorë dhe në sy.
Shpërthimi ndodhi në momentin kur oficeri, teksa po përpiqej të kontrollonte një çantë të gjetur afër ashensorit, shtypi pa dashje butonin e telekomandës që ndodhej brenda saj.
Denoncimi dhe sendet e gjetura
Përpara ngjarjes, administratori i pallatit dhe një banor njoftuan policinë për praninë e një çante me sende të dyshimta. Gjatë kontrollit nga ana e oficerëve u konstatua se brenda saj kishte heroinë, një peshore dhe një mekanizëm shpërthyes artizanal me fuqi të ulët.
Sipas hetimeve, i dyshuari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, banon në të njëjtin pallat. Dyshohet se pas shpërthimit ai zbriti, vëzhgoi situatën dhe u kthye në banesë për të marrë disa sende personale, duke thyer derën pasi kishte mbetur jashtë për shkak të panikut.
Largimi dhe hetimi
Më pas ai u largua, duke lënë pas telefonat e tij celularë. I dyshuari ishte liruar nga burgu në shtator, pasi ishte dënuar në vitin 2008 për trafikim të 100 gramëve kokainë.
Hetuesit supozojnë se ngjarja lidhet me trafikun e drogës. Po hetohet nëse çanta ishte lënë qëllimisht për t’u marrë nga dikush tjetër ose mund të ishte pjesë e një kurthi të bandave rivale.
Burimi: lajmifundit.al










