Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Kosova nis hetimet për dhjetë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë mallrash në veri

Kosova nis hetimet për dhjetë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë mallrash në veri

Autoritetet në Kosovë po hetojnë dhjetë persona të dyshuar për kontrabandë mallrash me vlerë disa mijëra euro në pjesën veriore të vendit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se dhjetë të dyshuarit u arrestuan të enjten gjatë një operacioni në veri dhe u paraqitën para gjykatës në një seancë dëgjimore, pas së cilës u lëshuan në liri derisa hetimet vazhdojnë.

Më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi në një komunikatë se operacioni u krye pas gjashtë muajsh hetime. Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe u sekuestruan gjithsej më shumë se 22 automjete, si dhe mallra me vlerë mbi 200.000 euro.

Në njoftim thuhet se hetimi, i kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Doganën e Kosovës, zbuloi dhe ndaloi aktivitetin e dyshuar të futjes së mallrave nga territori i Serbisë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Operacione të mëparshme kundër kontrabandës

Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe më herët operacione kundër kontrabandës së mallrave nga Serbia përmes rrugëve “alternative” në veri, zonë ku shumicën e popullsisë e përbëjnë serbët. Gjatë një operacioni të tillë, në vitin 2021, pati përleshje pas kundërshtimit të banorëve lokalë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Me “rrugë alternative” në veri të Kosovës zakonisht nënkuptohen kalimet ilegale të kufirit me Serbinë, të cilat me kalimin e kohës, në pjesën më të madhe, janë vënë nën kontrollin e policisë.

Në njoftimin e Prokurorisë në Mitrovicë sqarohet se, që nga muaji prill, gjatë hetimeve janë identifikuar sërish lokacionet dhe rrugët ilegale përmes të cilave mallrat futeshin në territorin e Kosovës.

“Prej majit deri në shtator të vitit 2026 janë zhvilluar më shumë se 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.

Ndër mallrat e kontrabanduara kishte produkte ushqimore, barna pa pulla akcize, pije, produkte higjienike dhe tekstile, sipas autoriteteve.

“Për këto mallra nuk dihen origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit, për çka ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve. Njëkohësisht, aktivitete të tilla i shkaktojnë dëme buxhetit të shtetit dhe bizneseve që veprojnë në përputhje me ligjin”, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe, pas sulmit të armatosur në Banjskë, në vitin 2023, institucionet e Kosovës mbyllën më shumë se 20 rrugë alternative që besohet se çojnë drejt Serbisë.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha