Në këto kohë të vështira, Muli ka vendosur të merret me punë të mëdha. Por, meqë i kanë ngarkuar edhe detyrën e deputetit, e ka të vështirë t’i shmanget asaj pune.
E vetmja metodë që ka gjetur është shkuarja në Parlament, shkulja e ndonjë mikrofoni ose ndonjë tentativë për dhunë dhe, më pas, përjashtimi nga Parlamenti për disa javë.
Plani i Mulit për t’u larguar nga Kuvendi
Kjo i jep mundësi të merret me organizimin e partisë dhe të bëjë punë më të dobishme, sesa të qëndrojë aty ku është i detyruar edhe të flasë.
Lelo, që ia kishte kuptuar taktikën, e nxiti sot që në mëngjes.
– Shko, bjeri një grusht atij Ballës dhe ik. Se na duhesh këta dy muaj, ngaqë është revolucioni.
– Patjetër, – tha Muli. – Plus, na zënë ndonjëherë pritë këta flamingot para Kuvendit, kot. Çfarë më duhet mua atje?
Dhe kështu bëri. Shkoi në Kuvend dhe nisi ato skenat. Pasi shkuli mikrofonat dhe shtyu nja dy socialistë, më në fund, bashkë me Belon, morën dy tepsi dhe filluan të këndonin me ritëm revolucionar sloganin: “Republika e Gysit”. U ngrit në këmbë edhe Doktori dhe ua mbante ritmin me duartrokitje.
Reagimi i demokratëve pas skenës në Kuvend
Situata u ndez mjaftueshëm dhe, duke shtuar edhe fjalimin e Doktorit, që mori përsipër protestën, dita mund të quhej e suksesshme.
Kur doli nga Kuvendi, Muli shkoi drejt te Leloja për të marrë përshtypjet e para nga beteja në Parlament.
– Hë, si dolëm? – i tha. – Çfarë thonë demokratët?
– Janë shumë të mërzitur, – i tha Leloja.
– Pse?
– Janë të mërzitur me skenën kur ti dhe Belua i binit te dy dajres me sloganin “Republika e Gysit”. Njerëzit prisnin që Belua t’i binte fizarmonikës dhe ti t’i mbaje ritmin me dajre. Jo ashtu të çorganizuar.
– S’më shkoi mendja, – tha Muli, – për fizarmonikën. Duhet ta gjejmë herën tjetër, se Belos ajo i shkon. Mua, nga Kukësi, më shkon dajrja.
Burimi: www.gazetatema.net









