Nga Mimoza Picari
Nga këndvështrimi procedural dhe kushtetues, shumica parlamentare ka të gjitha mundësitë për rotacion brenda vetes. Dorëheqja e Ramës nuk sjell automatikisht zgjedhje të parakohshme. Shqipëria është Republikë Parlamentare. Largimi i Kryeministrit aktivizon Nenin 96 – shumica parlamentare ka të drejtën të emërojë një pasardhës pa e çuar vendin në zgjedhje.
Protestat qytetare antiqeveritare që zgjasin prej më shumë se katër muajsh kanë arritur kulmin aktualisht me përplasje të forta mes protestuesve studentë e gjimnazistë dhe policisë, duke vendosur në qendër të diskursit politik kërkesën për largimin e Kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie teknike dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Por si funksionojnë mekanizmat juridikë? A e shpërndan dorëheqja e Kryeministrit automatikisht Kuvendin? Si formohet një qeveri e konsideruar “teknike”? Përse afati kushtetues 45-ditor për zgjedhjet e parakohshme krijon një përplasje të drejtpërdrejtë me ligjin për regjistrimin e partive të reja?
Për të zbërthyer kornizën ligjore, Faktoje.al sjell opinionin kushtetues të disa konstitucionalistëve me të cilët bisedoi, si dhe analizat e detajuara të juristëve Dorian Matlija, Bledar Dervishaj, Ledio Braho, si dhe pedagogut të shkencave politike në UET, Ervis Iljazaj.
Shqipëria është Republikë Parlamentare, dorëheqja e Kryeministrit nuk e shpërndan Kuvendin
Sipas Nenit 1 të Kushtetutës, Shqipëria është republikë parlamentare ku qeveria e ushtron pushtetin mbi bazën e mbështetjes parlamentare. Kushtetuta parashikon mekanizma për formimin e qeverisë së re pa shpërndarjen e Kuvendit (referencë nenet 96, 104-105 të Kushtetutës). Juristët shpjegojnë dy rrugët kryesore për zëvendësimin e Kryeministrit pa shkuar në zgjedhje:
Rruga e dorëheqjes së Kryeministrit (Neni 96 i Kushtetutës)
Sipas konstitucionalistëve, nëse Kryeministri jep dorëheqjen, me krijimin e vakancës aktivizohet menjëherë procedura e Nenit 96. Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e ri me propozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën e vendeve në Kuvend (në këtë rast Partia Socialiste).
Nëse kandidati i emëruar nuk miratohet, Presidenti emëron një kandidat të dytë brenda 10 ditëve. Nëse edhe ai dështon, Kuvendi ka 10 ditë kohë për të zgjedhur vetë një Kryeministër të ri. Vetëm nëse Kuvendi dështon në të tria përpjekjet, Presidenti dekreton shpërndarjen e parlamentit brenda 24 orëve dhe zgjedhjet e parakohshme mbahen 30-45 ditë nga shpërndarja.
Juristi Dorian Matlija sqaron se ky rregull rrëzon një keqkuptim të madh publik.
“Nëse kryeministri jep dorëheqjen, hapet procedura për formimin e qeverisë së re, por vetëm largimi i tij nuk sjell automatikisht shpërndarjen e parlamentit. Pra nëse kandidati i ri nga e njëjta shumicë arrin të marrë 71 vota në Kuvend, qeveria merr detyrën dhe vazhdon punën deri në përfundim të mandatit”, thotë Z. Matlija.
Lidhur me të drejtën e propozimit, juristi Ledio Braho plotëson se opozita nuk e imponon dot emrin pa votat e shumicës.
“E drejta e propozimit i takon partisë që ka shumicën parlamentare. Opozita nuk i ka numrat për të zgjedhur kryeministrin”, sqaron ai.
Ndërsa politologu Ervis Iljazaj nënvizon se nga pikëpamja proceduriale dhe kushtetuese, shumica parlamentare ka të gjitha mundësitë e rotacionit brenda vetes:
“Mekanizmat tekniko-kushtetues për ndryshimin e qeverisë varen nga vullneti politik i vetë Kryeministrit për të dhënë dorëheqjen”.
Është edhe Mocioni Konstruktiv i Mosbesimit (Neni 105 i Kushtetutës). Njohësit e doktrinës kushtetuese argumentojnë për Faktoje.al se rruga e dytë për ndryshimin e qeverisë pa zgjedhje është mocioni konstruktiv i mosbesimit. Të paktën 1/5 e deputetëve (28 deputetë) mund të paraqesin mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, por me një kusht të detyrueshëm: të propozojnë njëkohësisht emrin e Kryeministrit të ri.
Nëse kandidati i ri merr votat e më shumë se gjysmës së deputetëve (71 vota), Presidenti dekreton shkarkimin e të vjetrit dhe emërimin e të riut brenda 10 ditëve.
Ky mekanizëm i ndryshuar në vitin 2008, sipas konstitucionalistëve, është veçanërisht i rëndësishëm sepse lejon krijimin e një shumice të re parlamentare dhe zëvendësimin e Kryeministrit edhe pa dorëheqjen e tij.
Nëse mocioni nuk miratohet, Kryeministri vazhdon detyrën. Pra, as miratimi dhe as mosmiratimi i mocionit konstruktiv të mosbesimit nuk sjellin vetvetiu zgjedhje të parakohshme. Ndryshimi i Kryeministrit nuk kërkon domosdoshmërisht zgjedhje, por kërkon një shumicë parlamentare që mbështet qeverinë e re.
Si shkohet në Zgjedhje të Parakohshme? Mocioni i Besimit dhe afatet kushtetuese
Ndryshe nga mocioni i mosbesimit, Mocionin e Besimit (Neni 104 i Kushtetutës) mund ta paraqesë vetëm vetë Kryeministri. Ndryshe nga mocioni konstruktiv i mosbesimit, mocioni i besimit mund të çojë drejtpërdrejt në shpërndarjen e Kuvendit. Sipas nenit 104 të Kushtetutës, atë mund ta paraqesë vetëm Kryeministri.
Nëse mocioni votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, sipas formulimit të këtij neni, Kryeministri i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit brenda 48 orëve nga votimi. Në këtë rast nuk përsëriten përpjekjet për formimin e një qeverie tjetër sipas nenit 96. Nëse Kryeministri siguron besimin, qeveria vazhdon detyrën.
Kryeministri nuk mund të paraqesë mocion besimi gjatë shqyrtimit të një mocioni mosbesimi. Kjo pengon përdorimin e kësaj procedure për të shmangur një mocion që synon zgjedhjen e pasardhësit të tij.
Kur Kuvendi shpërndahet, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcaktojnë se zgjedhjet e parakohshme thirren jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes se Kuvendit, si kur shpërndarja vjen nga procedura e mocionit të besimit, ashtu edhe kur dështon zgjedhja e Kryeministrit në përpjekjen e tretë sipas nenit 96.
Lidhur me këtë rrugë, juristi Bledar Dervishaj sqaron dinamikën se si mund të shfrytëzohet ky mekanizëm nga vetë kryeministri.
“Kryeministri (si kryetar partie) mund të kërkojë mocion besimi në Kuvend dhe t’u kërkojë deputetëve ta votojnë kundër. Pas rrëzimit, ai i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit”, sqaron Z. Dervishaj
Sa i përket rolit të kreut të shtetit, juristi Ledio Braho nënvizon se kompetencat e tij janë mjaft të kufizuara. “Presidenti nuk ka asnjë tagër kushtetues për të shpërndarë Kuvendin me iniciativën e tij apo për të zgjidhur krizën jashtë rrugëve kushtetuese”, thotë ai.
Përplasja e afateve: Pse zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve “djegin” partitë e reja?
Një nga pikat më kritike të kornizës ligjore është mospërputhja e thellë normative mes afatit kushtetues të zgjedhjeve të parakohshme dhe legjislacionit që rregullon veçanërisht regjistrimin e subjekteve të reja politike. (Ndryshimet e vitit 2025 në Kodin zgjedhor neni 64/1 përcaktojnë se çdo parti kërkon regjistrimin si subjekt zgjedhor jo më vonë se 75 ditë para datës së zgjedhjeve ndërsa për koalicionet 70 ditë, neni 65.)
Njohësit e Kushtetutës me të cilët bisedoi Faktoje.al thonë se procedura e krijimit dhe e certifikimit të një partie të re kërkon disa faza ligjore që marrin kohë.
Sipas ligjit “Për partitë politike”, kërkohet nënshkrimi i kërkesës nga jo më pak se 3,000 anëtarëve themelues, miratimi i statutit, programit dhe organit drejtues.
Pas dorëzimit të dokumentacionit, Gjykata e Tiranës ka deri në 30 ditë kohë për të bërë regjistrimin. Nëse ka mangësi, gjykata e kthen kërkesën brenda 20 ditëve për plotësim, ndërsa vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve.
Juristët argumentojnë se ky afat prej 30 ditësh nuk përfshin kohën reale që i nevojitet një lëvizjeje për t’u organizuar në terren dhe për të mbledhur 3,000 nënshkrimet. Por edhe procedura e regjistrimit të saj në KQZ shfaqet me pengesa në kohë.
Këtu shfaqet mospërputhja e qartë ligjore, ku juristi Bledar Dervishaj argumenton:
“Kushtetuta përcakton se nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve. Ky afat është një pamundësi teknike dhe ligjore për forcat e reja politike që të përgatiten apo të regjistrohen për të garuar. Procedura ligjore për krijimin e një partie mund të kërkojë në rastin më të mirë nga 30 – 60 ditë”.
Gjithashtu, juristi Ledio Braho vë gishtin te korniza e vjetruar e regjistrimit dhe te pasojat e afateve të shkurtra.
“Sot regjistrimi i partive rregullohet me ligjin e vitit 2000 dhe zvarritet me vite në gjykatat civile. Do të duhej një reformim që partitë e reja të trajtohen si sektor i veçantë në KQZ dhe ankesat të shqyrtohen në Kolegjin Zgjedhor brenda 1 muaji”, shpjegon ai.
Në të njëjtën linjë, politologu Ervis Iljazaj argumenton se shkuarja e menjëhershme te kutitë e votimit i shërben vetëm “kastës së vjetër politike” dhe se në rastin e zgjedhjeve të parakohshme nevojitet një zgjidhje specifike ligjore dhe interpretim institucional.
Edhe juristi Dorian Matlija nënvizon se kjo bllokadë kohore e bën të pamundur garën demokratike pa një fashë tranzitore.
“Nëse vendoset një periudhë tranzitore prej 1 viti ose më shumë, atëherë krijohet koha e nevojshme për formimin, regjistrimin dhe garimin e forcave të reja politike”, argumenton ai.
Konstitucionalistët thonë se kjo mospërputhje kohore kërkon detyrimisht zgjidhje të qartë ligjore dhe dakordësi politike përpara shpërndarjes së Kuvendit.
Qeveria Teknike: Natyra juridike, marrëveshja politike dhe kompetencat
Në debatin publik po artikulohet gjithnjë e më shum
Burimi: gazetadita.al










