Deputetja e pavarur në Kuvendin e Shqipërisë, Marjana Koçeku, mori pjesë në një intervistë në CNN International me Christiane Amanpour, një nga figurat më të njohura dhe me ndikim të gazetarisë botërore, si dhe me Catherine Bennhold, gazetare e prestigjiozes The New York Times.
Intervista u zhvillua në kuadër të programit të njohur ndërkombëtar të Amanpour dhe u fokusua në valën e protestave studentore e të të rinjve, si dhe në zhvillimet e fundit në Shqipëri.
Protestat dhe kërkesat e të rinjve
Koçeku i solli publikut ndërkombëtar protestat që po zhvillohen në vend, kërkesat e të rinjve dhe nevojën që institucionet shqiptare t’u përgjigjen me seriozitet shqetësimeve të tyre.
Deputetja e pavarur, e cila u largua nga Partia Socialiste gjatë verës së këtij viti për t’iu bashkuar protestave qytetare, shpjegoi edhe arsyet e vendimit të saj politik. Ajo theksoi se mbështetja për protestuesit vjen nga bindja se përmes këtij angazhimi mund të kontribuojë në mënyrë më të ndershme dhe më të drejtpërdrejtë.
Koçeku mbrojti legjitimitetin e kërkesave të protestuesve dhe theksoi se ato meritojnë vëmendjen e plotë të qeverisë, si dhe llogaridhënie institucionale.
Pasqyrimi ndërkombëtar dhe Ballkani
Pjesëmarrja e Marjana Koçekut në një intervistë të drejtuar nga Christiane Amanpour në CNN International përbën një moment të rëndësishëm të pasqyrimit ndërkombëtar të zhvillimeve në Shqipëri, duke sjellë qëndrimet e një deputeteje të pavarur shqiptare dhe zërin e protestave të të rinjve para një audience globale.
Intervista e vendos situatën në Shqipëri në kontekstin më të gjerë të mobilizimit të brezit të ri dhe të sfidave me të cilat përballen qeveritë për t’iu përgjigjur kërkesave për ndryshim, përfaqësim dhe përgjegjshmëri demokratike.
E pyetur nga Christiane Amanpour mbi zhvillimet politike dhe protestat studentore në Serbi, Koçeku u shpreh se një fitore e listës së studentëve përballë presidentit Aleksandar Vuçiç do të përbënte një fitore jo vetëm për të rinjtë serbë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Burimi: lajmifundit.al










