Protesta e kësaj të shtune është tërësisht e Partisë Demokratike. Tani që Doktori e mori përsipër revolucionin, edhe maskat nuk kanë më rëndësi. Ato ishin të nevojshme që protestuesit të dukeshin sikur ishin studentë. Tani kjo çështje u mbyll.
Plani për pikën kryesore të sulmit
– Na duhet një plan i qartë për pikën kryesore të sulmit, – i tha Muli Lelos. – Ta bëjmë te Ministria e Arsimit apo te Kryeministria?
– Po te Ministria e Arsimit çfarë do të bëjmë? – i tha Leloja. – Hajde dhe të ishim studentë, por këta tanët të vetmin inat që kanë me Ministrinë e Arsimit është se arsimi tetëvjeçar ka qenë i detyrueshëm.
– Ke të drejtë, – tha Muli. – Atëherë duhet të bëjmë planin për sulmin mbi Kryeministri. Por edhe aty duhen dy skenarë.
Skenari i parë është marrja e Kryeministrisë. Thyerja e derës kryesore është sfida më e madhe, se e kanë blinduar. Mendoj se duhet të hyjmë nga dyert anësore. Një grup të sulmojë derën kryesore, kurse të tjerët të vërshojnë nga dyert anësore dhe të hyjmë brenda. Pastaj hapim derën kryesore.
– Po kur të hyjmë, çfarë do të bëjmë? – tha Leloja.
– Nuk e lëshojmë godinën deri në dorëheqje, – tha Muli. – Bllokojmë zyrën e Edi Ramës, bëjmë një VKM për shkarkimin e tij dhe e lexojmë nga dritarja.
– Po pastaj?
– Pastaj ku di unë? E di Doktori. Unë deri te marrja e godinës jam.
– Po sikur Edi Rama t’i lërë dyert hapur kastile, sa të futemi brenda, dhe pastaj të na i mbyllë? – tha Leloja. – Do të ngelim brenda si në çark dhe do të tallen me ne.
– Në asnjë mënyrë, – tha Muli. – Po e mori vesh Bathorja që kemi marrë Kryeministrinë, për gjysmë ore i ke të gjithë në bulevard, se fillon vjedhja e kompjuterëve dhe shitja e tyre.
– Qartë, – tha Leloja. – Deri këtu je në rregull. Po skenari B cili ishte?
Skenari B dhe zyrat e Parlamentit
– Skenari B është të bëjmë sikur sulmojmë Kryeministrinë dhe të hyjmë në zyrat e Parlamentit. Marrim zyrën e Peleshit dhe dekretojmë shpërndarjen e Parlamentit.
– Po pastaj, që s’na pyet njeri, si do t’ia bëjmë?
– Pastaj të bëjnë ç’të duan. Rëndësi ka të jem dhjetë minuta kryetar Parlamenti, – tha Muli.
– Po sa qeveri hije kemi bërë dhe ke qenë disa herë kryeministër, – i tha Leloja. – Po ato s’kanë pasur kosto. Kjo është me kosto, se mund të shkosh në burg.
– Këtë hall kam, – tha Muli. – Jo se i trembem burgut, por nuk mund ta lë PD-në në dorë të Gaz Bardhit.
Burimi: www.gazetatema.net









