TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Pas një qëndrimi prej rreth dy orësh përballë Kryeministrisë, pedagogët dhe studentët marshuan edhe sot nëpër rrugët e Tiranës dhe u mblodhën para Ministrisë së Arsimit.
Ata po protestojnë në mënyrë paqësore para godinës së Ministrisë dhe deri më tani nuk raportohen hedhje gurësh apo lëndësh piroteknike.
Në Rrugën e Durrësit Policia ka ndaluar qarkullimin e mjeteve, ndërsa forcat e Policisë kanë ngritur një kordon përpara Ministrisë së Arsimit.
Pasi qëndruan për rreth dy orë në protestë paqësore para Ministrisë së Arsimit, studentë, pedagogë dhe të rinj të tjerë protestues vijuan marshimin në Rrugën e Durrësit.
Më pas ata u drejtuan nga bulevardi në drejtim të Kryeministrisë.
Që nga dita e djeshme Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) iu bashkua studentëve, të cilët po protestojnë prej 9 ditësh në Tiranë.
Edhe gjatë ditës së sotme pedagogët kanë bojkotuar mësimin për të mbështetur studentët në kërkesat e tyre, ndërsa kërkojnë që ata të mos dhunohen nga Policia.
Studentët dhe pedagogët kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e tij.
Protestues para Ministrisë së Arsimit, foto: Florian Abazaj
1 nga 17
ata.gov.al










