I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, studenti që po proteston, Martinjo Myrtollari, u përball në një debat me deputetin dhe sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi. Ai deklaroi se PS dhe PD nuk kanë dallime sa i përket drejtuesve dhe mënyrës se si funksionojnë. Sipas tij, në protestë janë të mirëpritur të gjithë ata që ndajnë të njëjtat kërkesa me studentët, duke theksuar se kushdo që dëshiron t’u bashkohet duhet të respektojë kauzën e tyre.
“PD-ja të vazhdojë me protestat e veta, por nëse duan të vijnë te ne, duhet të respektojnë kërkesat tona. Kushdo që i bashkohet protestës duhet të ketë të njëjtin qëllim me ne. PS-ja dhe PD-ja janë dy parti të njëjta. Lideri i pandryshuar, bëhet çfarë thotë lideri, pa zgjedhje. Njëra nuk bën zgjedhje fare, tjetra bën zgjedhje me një kandidat. Nuk kanë asnjë ndryshim, përveçse njëra nuk e ka pushtetin, tjetra e ka. Ne nuk kemi gjë me PD-në, por nuk e pranojmë Sali Berishën. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje me fytyra të reja. Duam personazhe që të jenë afër të rinjve, afër kërkesave të njerëzve. Berisha dhe Rama janë aty prej 36 vitesh. Berisha mori pushtetin në vitin 1991, në mos gaboj, dhe për 20 vite nuk u bë asgjë. E mori Rama në vitin 2013 dhe deri tani që po flasim nuk bëri asgjë. Ato 20 vite u bënë 36. Kaq”, u shpreh studenti.
Klosi: Protesta ishte e qetë deri në mbrëmje, dolën personat me kapuç dhe nisën të hedhin gurë
Burimi: euronews.al










