Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka shprehur kundërshtim ndaj gjuhës që Kryeministri Edi Rama ka përdorur publikisht kundrejt gjyqtarëve të cilët kanë shqyrtuar masat e sigurisë për protestuesit. Sipas Shoqatës, deklarata të tilla mund të cenojnë legjitimitetin e gjyqtarëve dhe të ushtrojnë presion mbi vendimmarrjen e tyre të pavarur.
Në një deklaratë publike, Shoqata thekson se kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e ligjshme, por ajo nuk duhet të kthehet në sulm personal ndaj gjyqtarëve apo në përpjekje për të ndikuar publikisht në ushtrimin e detyrës së tyre. Sipas Shoqatës, deklaratat e Kryeministrit janë veçanërisht shqetësuese për shkak të funksionit që ai ushtron në krye të pushtetit ekzekutiv. Ato, vlerëson Shoqata, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore dhe të ndikojnë negativisht në besimin e publikut te drejtësia.
“Përgjegjësia e kreut të ekzekutivit është të garantojë respektimin e lirive kushtetuese dhe sigurinë publike, jo të paragjykojë vendimet e gjykatave apo të përcaktojë publikisht se cilat masa sigurimi duhet të caktohen”, theksohet në deklaratë. Shoqata nënvizon se ligjshmëria dhe proporcionaliteti i masave të sigurisë janë çështje që u takojnë gjykatave, të cilat duhet të vendosin mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.
Në këtë kontekst, Shoqata u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duke shmangur retorikën që mund të ushtrojë trysni mbi gjyqtarët. Ajo kërkon gjithashtu marrjen e masave për mbrojtjen e gjyqtarëve nga çdo formë presioni për shkak të ushtrimit të detyrës, duke e cilësuar pavarësinë e gjyqësorit si një kusht thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Burimi: kohajone.com










