Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Opinion

Kim Mehmeti: Kur atdheu drejtohet nga ligësia dhe tradhtia, ai kthehet në perandori krimi

Kim Mehmeti: Kur atdheu drejtohet nga ligësia dhe tradhtia, ai kthehet në perandori krimi

Nga Kim Mehmeti

Jo vetëm tani, por prej shumë vitesh Shqipëria pret të nisë pastrimin e saj politik dhe të mbrojë gjënë më të çmuar që zotëron – rininë!

Domethënë, prej vitesh Shqipëria pret që të rriten fëmijët e saj të guximshëm, të cilët do ta lexojnë saktë kalendarin e kohës në të cilën jetojnë dhe do ta dëgjojnë zërin e atdheut kur ai kërcënohet nga tradhtarët, të cilëve u ka besuar fatin e vet.

Tani që kjo gjeneratë u shfaq, tani që të rinjtë dhe studentët shqiptarë dolën në mbrojtje të atdheut dhe të së ardhmes së popullit të tyre, ndodhi edhe më madhështorja: përbri tyre qëndruan edhe pedagogët, njerëzit që kanë më shumë të drejtë të krenohen se janë farkëtuesit e këtij guximi rinor.

Ndërkohë, Shqipëria ende pret që t’i dalin në mbrojtje edhe ata që kanë më shumë faje ndaj saj: prindërit e të rinjve që protestojnë, brezi i dalë nga komunizmi, i cili nuk e pa me kohë se ‘demokratët’ që ata përkrahnin kishin dalë nga kapota komuniste.

Pra, Shqipëria e sotme pret që të vijë dita kur do të përfundojë pastrimi i saj nga plehu politik i komunistëve dhe postkomunistëve, të cilët, për thuajse katër dekada me radhë, e zhvatën, e shitën, e kriminalizuan dhe e shndërruan atë në një narko-shtet në mes të Evropës.

Dhe çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, nuk mund të mos ndodhë e pashmangshmja: që nga partitë shqiptare, me në krye PS-në, të shndërruara në kazanë të llumit politik, t’u kërkohet llogari për krimet e bëra dhe nëse duhet, edhe me ligj, t’u ndalohet të merren me politikë.

Po, pra, prej vitesh Shqipëria pret të vijë kjo rini që sot proteston në rrugët e Tiranës, rinia që e ka kuptuar se një vend i drejtuar nga ligësia njerëzore, nga tradhtia kombëtare dhe nga njerëz si Piktori, herët a vonë pushon së qeni atdhe dhe përfundon si një perandori e krimit!

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha