Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Revolucioni ilegal i Tetorit

Revolucioni ilegal i Tetorit

Nga Ylli Pata

Sali Berisha u shfaq përsëri sot me një apel drejtuar demokratëve që të marrin pjesë në tubimin e së shtunës, të cilin ai e quan goditjen përfundimtare kundër Edi Ramës. Interesant është fakti se e shtuna përkon pikërisht me datën e Revolucionit të Tetorit në Rusi në vitin 1917, kur bolshevikët e Vladimir Iliç Leninit depërtuan në Pallatin e Dimrit në Shën Petërsburg dhe likuiduan të gjithë familjen mbretërore të Romanovëve.

Pas goditjes së kryqëzorit Aurora ndaj Pallatit të Dimrit, nisi revolucioni që transformoi jo vetëm Rusinë, por edhe gjithë botën. Flamuri trengjyrësh u zëvendësua me atë të kuq me drapër e çekan, i cili u shfaq në protestat e Parisit së bashku me Kufijen e njohur palestineze.

Kjo “koincidencë” e Revolucionit Shqiptar të Tetorit u prezantua me shumë bujë nga Sali Berisha, i cili amnistoi Antifa-n, pasi kishte urdhëruar një sulm artilerik një ditë më parë nga “kryqëzori” i tij mediatik familjar kundër ambasadorit amerikan në Tiranë.

Megjithatë, prezantimi i Berishës, sikur të ishte Vladimir Iliçi që vjen nga Zvicra me tren special i shoqëruar nga shërbimi sekret gjerman, nuk arriti të krijonte efektin e pritur.

Kjo për arsye se doktori ka qenë një përkrahës i vjetër dhe organizator i çdo revolucioni në Shqipëri gjatë këtyre 37 viteve.

Në realitet, ai nuk është Vladimir Iliçi, madje as idhulli i tij i vjetër Leon Trocky, por një menshevik, të cilin anëtarët e fraksionit, bolshevikët e vërtetë, e hodhën në Lanë.

Përvetësimi i autorësisë nga Berisha përbën më shumë një problem sesa një ngjarje reale. Revolucioni shqiptar i Tetorit ka bolshevikët e vet, të cilët vazhdojnë të operojnë ilegalisht, njëlloj si Partia Komuniste Shqiptare gjatë luftës, e cila megjithatë shpërndante trakte dhe botonte gazetën e saj “Zëri i Popullit” të shtypur në shaptilografë në shtëpitë “modeste të Tiranës”.

Shtypi i bolshevikëve të Revolucionit Shqiptar të Tetorit, i cili natyrisht nuk shtypet më sepse është dixhital, i ka qendrat në dhomat sekrete të shërbimeve inteligjente jashtë Shqipërisë.

Dy faktorët realë të këtij revolucioni, të cilët kanë dhënë sinjalet e tyre, mbeten të fshehur. Njëri lidhet me të majtën ekstreme të ANTIFA-s dhe tjetri me islamin politik, i cili gjithashtu ka treguar shenjat e veta.

Ky fshehje është e panevojshme, pasi të gjithë i shohin sinjalet dhe duart e tyre që hedhin gurët dhe koordinuan operacionin që shkatërroi Tiranën.

Këta organizatorë do të duhet të dalin hapur dhe të shpallin para publikut idetë dhe qëllimet e tyre. Të heqin maskat dhe të zbulojnë fytyrat, emrat, CV-të, dhe të hyjnë në politikë.

Fshehja pas të miturve nuk i bën revolucionarë, por së paku ilegalë, dhe shpesh terroristë. Revolucioni i vërtetë i Tetorit kishte emra që ndryshuan historinë e botës: Lenini, Stalini dhe Trocky.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha