Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë dislokuar pranë institucioneve kryesore, ndërsa efektivë të policisë rrugore, forcave Shqiponja dhe forcave të rendit janë vendosur në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
Policia ka vendosur në gatishmëri edhe tetë autobotë me ujë, dronë dhe kamera me rezolucion të lartë për monitorimin dhe identifikimin e protestuesve. Efektivët janë pajisur gjithashtu me spraj piperi dhe gaz lotsjellës, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës parashikohet vetëm në rast të përshkallëzimit të situatës.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen është vendosja e flamurit kuqezi në parzmoret e efektivëve, patrullat dhe automjetet e policisë.
Ndërkohë, policia ka shtuar kontrollet në pikat kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, për persona të cilësuar si të padëshiruar nga autoritetet dhe me prirje ekstremiste. Sipas informacioneve të raportuara, disa persona nuk janë lejuar të hyjnë në territorin shqiptar.
Policia po përgatitet edhe për skenarin e bllokimit të akseve kryesore të Tiranës, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet protesta dhe nëse grupimet e ndryshme do të bashkohen në një tubim të vetëm.
j.l./ dita
Burimi: gazetadita.al










