Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Mitropoliti kërkon që policia të respektojë ligjin pas përplasjes në oborrin e Katedrales

Mitropoliti kërkon që policia të respektojë ligjin pas përplasjes në oborrin e Katedrales

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka shprehur reagimin e saj pas trazirave që ndodhën mes forcave të policisë dhe personave protestues në hapësirën e oborrit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Ajo kërkon që të respektohen vendet e shenjta, të merret distancë nga çdo akt dhune dhe të krijohen mundësi për dialog.

Në deklaratën zyrtare, Kisha shfaq shqetësim për pamjet që u publikuan nga ngjarjet brenda perimetrit të katedrales dhe nënvizon se objektet e kultit nuk duhet të shndërrohen në zona konflikti dhe përplasjesh.

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.

Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’ është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut”, thuhet në reagim.

Mitropoliti: Përgjegjësia shkon edhe përpara gjykimit të historisë

Pas reagimit të Kishës, edhe Mitropoliti Anastas ka bërë thirrje që Policia e Shtetit të ndalë përdorimin e dhunës dhe të veprojë në përputhje me ligjin.

Në mesazhin e tij publik, ai u është drejtuar atyre që, sipas tij, shpërdorojnë autoritetin shtetëror, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprimet e tyre nuk kufizohet vetëm te drejtësia ligjore, por shtrihet edhe te gjykimi moral dhe historik.

“Policia e Shtetit të rikthehet menjëherë në binarët e ligjit dhe të heqë dorë nga çdo formë dhune e arbitrariteti. Ata që shpërdorojnë autoritetin e shtetit duhet ta dinë se përgjegjësia e tyre nuk përfundon përpara ligjit, por shtrihet edhe përpara gjykimit të historisë. Mbi ta do të rëndojë gjithashtu përgjegjësia për çdo pasojë që mund të sjellë përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve”, thuhet në reagimin e Mitropolitit Anastas.

 

 

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha