Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim gjykate

Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim gjykate

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Marash Logu, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, deklaroi gjatë një komunikimi me mediat se avokatët e PD-së përfaqësuan sot 28 protestues, për të cilët gjykata vendosi lirimin e tyre të menjëhershëm.

Ai theksoi se “nga data 13 tetor, ekipi ynë ligjor ka ofruar ndihmë për 432 protestues të shoqëruar, prej të cilëve 184 u liruan menjëherë”.

“Ndërkohë, në gjykatë janë përfaqësuar 248 protestues të arrestuar, nga të cilët 239 janë liruar me vendim të gjykatës”, shtoi Logu.

Logu njoftoi se për çdo rast kur është vendosur masë sigurimi, PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë ankim në Gjykatën e Apelit, sapo të bëhen të njohura vendimet përkatëse.

“Po ashtu, për çdo rast dhune nga policia do të kërkojmë përgjegjësi penale. Deri më tani kemi depozituar dy kallëzime penale dhe po grumbullojmë prova për katër kallëzime të tjera”, deklaroi ai.

Sipas tij, dhuna ndaj protestuesve nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi dhe ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

Logu theksoi se Partia Demokratike është në gatishmëri të plotë deri në garantimin e të drejtave të çdo protestuesi, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë të çdo personi që shkel ligjin.

/m.q/a.f/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha