Nga Kreshnik Spahiu
Protestuesit veprojnë drejt kur nuk pranojnë të bisedojnë me Edi Ramën, por më lind një pyetje: përse nuk komunikojnë mes tyre, duke u ulur në një tryezë pa maska?
Në çdo konflikt të përgjakshëm, edhe kur ka mijëra viktima, palët zakonisht ruajnë kanale komunikimi dhe zhvillojnë bisedime për armëpushim ose paqe.
Izraelitët bisedojnë me palestinezët.
Amerikanët negociuan me talebanët.
Irani ka negociuar me Uashingtonin.
Ukraina dhe Rusia zhvillojnë raunde bisedimesh.
Edi Rama mund të largohet sot, por çfarë ndodh nesër: a do të shpallen zgjedhje të parakohshme apo do të kemi një qeveri teknike me kryeministër kukull, të zgjedhur nga Rama dhe Berisha?
Qeveritë teknike në Shqipëri
Kam gjashtë muaj që qindra njerëz të painformuar thonë se Shqipëria, deri në zgjedhje, nuk duhet të qeveriset nga PS-ja apo PD-ja, por nga një qeveri teknike.
99% nuk e kuptojnë fare këtë nocion. Shqipëria ka pasur tri herë qeveri teknike:
1991 – qeveria e stabilitetit.
1997 – qeveria e pajtimit.
2017 – qeveria e Lulzimit.
Në të tria rastet, kryeministri dhe ministrat janë propozuar si teknikë dhe jo politikë, por nga tryeza e dialogut të partive. Më pas, procedura është: * Dekretohen nga presidenti. * Votohen nga parlamenti.
Për këto arsye, po u bëj një pyetje protestuesve me maska apo me flakadanë: * Nëse Rama jep dorëheqjen sot, kush e propozon nesër kryeministrin e ri të qeverisë teknike?
* Rama? Berisha? PS-PD?
* Maskat? Flakadanët? Populli? Kush prej tyre, se ata s’kanë as lider dhe as përfaqësi?
* Po ministrat, kush do t’i propozojë?
* Po pas propozimit, kush do t’i votojë?
* Kush e vendos kohën se sa do të zgjasë kjo qeveri?
Protestuesit tentuan të zgjedhin një asamble qytetare me 300 persona dhe ditën e parë që u mblodhën në një sallë, u rrahën me njëri-tjetrin.
A mund të na thonë ku humbi kjo iniciativë e dështuar e “asamblesë qytetare”?
Pse, me këto eksperienca qesharake, kërkojnë të bëjnë revolucionin?
A e dini pse ambasadat e huaja, Uashingtoni apo BE-ja nuk e përkrahin protestën?
Sepse s’kanë me kë të negociojnë.
Mungesa e një lideri dhe e një strukture
Gjashtë muaj kanë që duan të kenë takime dhe s’kanë as lider, as zëdhënës, as kryesi. Thjesht janë një lëvizje anarkike.
Kush do të propozojë emrat e ministrave dhe të kryeministrit, apo çdo protestues do të nxjerrë nga një emër dhe do të kemi 2000 kandidatë e kush do t’i përzgjedhë këta?
Si mund të mbështesin SHBA-ja dhe BE-ja largimin e Ramës pa pasur një garanci se kush do të vijë pas tij? Prandaj, protestuesit me maska duhet t’ia nxjerrin fytyrën atij që duan të zëvendësojë Ramën dhe t’ia tregojnë popullit dhe ndërkombëtarëve që ky është njeriu që do të drejtojë Shqipërinë pas Ramës.
Nëse këta protestues nuk organizohen, nuk strukturohen, nuk përfaqësohen, nuk programohen, nuk institucionalizohen, atëherë ata nuk duan as largimin e Ramës dhe as qeveri teknike, por vetëm destabilizimin e Shqipërisë.
Koha po kalon dhe zgjedhjet po afrojnë.
Nëse protesta nuk ka logon dhe partinë e saj politike, atëherë kë do të votojnë shqiptarët në fletën e votimit? Sërish PD-PD.
Ndryshimi nuk mund të vijë as nga gjimnazi i Kamzës dhe as nga gjimnazi i Laprakës, se ata nuk kanë as të drejtë vote -18 vjeç.
Ramën nuk do ta largojmë dot dhe as qeveri teknike nuk do të zgjedhim dot nëse protestuesit, nga bomba molotov, nuk transformohen në bomba juridike dhe institucionale për ta marrë pushtetin si formacione politike dhe jo si njësi guerile.
Në të kundërt, në fund do të kemi atë shprehjen:
“Luftën e bëjnë heronjtë, por pushtetin e marrin sërish maskarenjtë.”
Disa thonë le të ikë Rama dhe të vijë kush të dojë.
Në fakt nëse protestuesit nuk kanë një emër për kryeministër, atëherë Rama jep dorëheqjen dhe shkon në zgjedhje dhe fiton sërish sepse rikandidimin e ka të drejtë kushtetuese dhe s’ja ndalon dot.
Në fakt ka vetëm një arsye pse protestuesit nuk organizohen, sepse mes tyre janë futur kolonë e 5-të, njerëzit e Berishës, Metës, Agronit, Arlindit madje edhe të Edi Ramës, por të gjithë vendosin shkopa që të mos krijohet partia që duhet të marrë pushtetin apo të dalë një lider i ri i cili do të bëhej kryeministri i Shqipërisë dhe që të votohej më shumë se Rama.
Shqipëria ka nevojë për zgjidhje dhe zgjedhje dhe këto nuk mund t’i arrijë as Rama me gazlotsjellës dhe as maskat me molotov.
Dita e votimeve po afron, por ende votuesit nuk shohin në horizont alternativa të reja.
Burimi: kohajone.com










