Nga Fritz Radovani
-SHTËPIA NR. 173, NË “RRUGËN E KAVAJËS” –
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si sot! Një zhurmë e tmerrshme, shurdhuese, po vinte si gjëmim nga qielli, dhe dukej sikur na merrte me vete bashkë me çatitë, oxhaqet, grilat e tjera, duke rrënuar e shkatërruar muret prej qerpiçi bashkë me dyer e dritare. Çarjet e xhamave të thyer përzieheshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krerët tanë, dhe ne nuk kuptonim asgjë nga ajo që po ndodhte mbi ne dhe pranë nesh. Ashtu siç ishim në atë sofër të asaj drekë të zezë, pa u çuar mirë dhe me kafshatën e fundit në gojë, u drejtuam nga shkallët për të zbritur në podrum.
Ajo ishte pamja e fundit e babait të gjallë. Kur u çua në këmbë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi për krahu… dhe nuk di më gjë tjetër… vetëm, për pak çaste, ra në fund të shkallëve dhe, i shtrirë mbi pllakat e korridorit, përballë derës kryesore të hyrjes, u mbulua me gjak.
Pizhamat ngjyrë banane, me polseta dhe kollare të zeza, i tërhiqja me sa forcë kisha në atë liqen gjaku, duke thirrur: “Babë, çohu!” Nga një copë bombe, që ra në oborr dhe hyri nga dritarja në gjysmën e shkallëve, goditi anën e djathtë të ballit të tij, duke përshkuar trurin dhe duke dalë pas veshit të majtë (siç më tregonte nëna më vonë), kishte marrë fund gjithçka.
Nëna ulërinte me një britmë kushtrimi: “Kuku, Kolë… çka të gjeti… rrezik ziu ti…!” Dhe, kur rrihte kokën me grushta, duke qarë, thërriste: “Kolë… si më lë!”. Unë vetëm shikoja me trishtim dhe, pa kuptuar më shumë, i shtrënguar pas fustanit të nënës, prisja kur të pushonte zhurma, rrebeshi dhe të kalonte drama.
Nuk e di si u hap dera. Kujtoj vetëm një prift me këmishë të bardhë dhe të shkurtër, që hyri brenda nëpër atë breshër bombash, me një gju në gjak, u ul pranë babait dhe i pëshpëriti diçka… Unë mendova se po e ngrinte babanë nga ai pellg gjaku… por gjithçka kishte mbaruar.
Prifti nuk u largua për pak kohë, derisa nënës i erdhi axhai i saj, At Mati Prennushi, i cili kishte marrë vesh fatkeqësinë e madhe që kishte goditur shtëpinë tonë, dhe kishte vrapuar edhe ai për t’u gjendur pranë nesh.
Prifti doli për të vazhduar shërbesën nëpër rrugët e Tiranës, të lyera me gjak nga qindra të vrarë dhe të copëtuar. Rreth vitit 1962, mora vesh nga nëna se prifti që i bëri babait shartet e fundit ishte At Pjetër Meshkalla.
Pikërisht atë vit u njoha nga afër me të, pasi kishte dalë nga burgu, pas 15 vitesh që kishte kaluar në burgun e Burrelit. Natën që babai vdiq, u nisëm për Shkodër bashkë me nënën, At Matinë, dajën Pavlin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge, nga plaçkitjet që bëheshin te Ura e Zogut (fliste se ishin çeta të vogla partizanësh). Mbërritëm vonë, rreth orës 10.00 të natës.
Kujtoj se të nesërmen, babai ishte i veshur ushtarak me tesha ngjyrë gri, në një shtrat të bardhë hekuri të rrethuar me lule të bardha. Shumë njerëz përreth qanin. Vajet dhe gjamat më kishin shtangur. Di se dikush më ngriti lart dhe unë i putha faqen. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk do ta harroj kurrë atë akull që edhe sot më përcjell trupin.
Babanë nuk e pashë më, as nuk e putha dhe as nuk e përqafova kurrë më! Ai u varros në Rrëmaj, me një funeral madhështor, që drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuajse gjithë Klerit Katolik me murgesha e motra, personalitete civile dhe ushtarake, gjithë qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shirokën, vendlindja e tij.
Megjithëse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (lindur më 5 shkurt 1903), pak ditë para gradimit në gradën nënkolonel, një ushtarak i lartë gjerman i gjendarmërisë, në varrezat e qytetit tha këto fjalë: “Sikur Shqipëria të kishte 10 ushtarakë të përkushtuar dhe atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmi nuk do të kishte fuqi as farë tek ju!” (Dëshmi gojore në vitin 1991, nga Don Ndoc Ndoja).
Nënën e kujtoj pothuajse gjithmonë me tesha të zeza. Kisha menduar se koha kishte qenë më e shkurtër, por isha gabuar, sepse plot një vit më parë, më 29 nëntor 1944, u vesh gjithë Shqipëria me të zeza, pikërisht atë ditë kur “patën hi këta”! / Memorie.al
Burimi: gazetashqiptare.al










