Genti Kame ka kritikuar ashpër mënyrën e qeverisjes në vend, duke e quajtur atë një “diktaturë bandash”, dhe ka theksuar se të rinjtë shqiptarë po përballen me mungesë shprese, mundësish dhe besimi te politika.
I ftuar në një emision televiziv, Kame deklaroi se vendi ka nevojë për zgjidhje politike, të cilat, sipas tij, mund të ofrohen nga politikanë të aftë dhe jo nga persona që, siç pohoi ai, janë kapur pas buxhetit të shtetit.
“Një qeveri e cila nuk është e përbërë nga politikanë, sepse politikanët i gjejnë zgjidhje politike. Kur vendi ka probleme. Kemi të bëjmë me disa njerëz që janë totalisht të paaftë në profesionet e tyre përkatëse, dështakë të gjithë. Që nuk kanë mundur të sigurojnë as jetesën në profesionet e tyre, në zanatet e tyre. Dhe që janë kapur me thonj pas buxhetit të shtetit. Është një bandë që kap buxhetin e shtetit, si të vjedhësh një bankë dhe çdo vit për katër mandate e shfrytëzojnë buxhetin e shtetit të Shqipërisë. Katër mandate, hajde dhe katër të tjera, hajde dhe katër të tjera dhe kanë arritur deri në një idiotësi që të thonë ikim kur të duam vetë. Në kë po dialogojmë. Jo, kanë thënë edhe në 2050-n, këta nxjerrin, nxjerrin perla herë mbas here. Pra, jemi në një diktaturë. Jemi në një diktaturë, por jemi në një diktaturë bandash, gjë që është më keq nga diktatura komuniste që kemi përjetuar. Pse? Sepse diktatura komuniste ka qenë një diktaturë ideologjike dhe si diktaturë ideologjike i kishte dy-tre parime, strehim, shkollim, shëndetësi, punësim e gjëra të tjera, por të hiqte kokën nëse i prekje pushtetin. Sot nuk kemi as këto parime të bazë, thjesht të heqi kokën nëse ti i prek pushtetin. Ky është problemi që ne kemi. Zgjidhje gjejnë politikanët. Jo banditët. I kërkohet një banditi jep dorëheqjen? Ku është dëgjuar kjo. Çfarë kemi përballë nuk është kuptuar çfarë kemi përballë. Kemi përballë një rini që është e zënë peng zonjë. Peng. Nuk e gjen më të ardhmen të rrezikojë kokën dhe të iki jashtë shtetit, ku do vete. Nuk e shikon veten ta ndërtojë jetën këtu brenda. Pra, i ka ikur shpresa. Dhe kur ikën shpresa, ikën valvula e fundit e shkarkimit të trysnisë dhe njeriu plas, shpërthen. Kemi një rini që ka humbur besimin te politika është totalisht apolitike kjo që po shikojmë. Dhe nuk gjen valvul shkarkimi as aty. Kemi një rini të traumatizuar që është rritur me ankthin e Covid-it, që po rritet me ankthin e një lufte tjetër. Kemi një rini që nuk ka muze, nuk ka film, nuk ka teatër, nuk ka kënde sportive. Nuk ka biblioteka. Ka një arsim të jashtëzakonisht të cunguar. Kemi një rini që po fyhet. Sepse ai që është i mirë nuk po e merr hakun. Por duhet të paguajë. Kemi një rini që po përdhoset. Kemi një rini që po shikon gjithmonë e më tepër t’i ikin shokët po rritet e vetmuar, mos flasim vetëm për Tiranën, rrethet. Kemi një rini që nuk ka nevojë sot për psikolog, sepse nuk ka sëmundje mendore. Kemi një rini që ka nevojë për mirëqeverisje”, u shpreh Kame.
Burimi: sot.com.al









