Deputeti demokrat Kliti Hoti ka mbetur i lënduar pasi e ka kapur një plumb gome gjatë protestës së sotme.
Në pamjet e momentit shihet efektivi i Policisë që qëllon, ndërsa më pas largohet nga dy kolegët e tij.
Incidenti ndodh në një moment kur situata në bulevard është tensionuar, me Policinë që po përdor gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit.
Protestues janë ofruar për t’i dhënë menjëherë ndihmën e parë, ndërsa ka mbërritur edhe autoambulanca për ta dërguar në spital.
Protesta e sotme dhe tensionet në bulevard
Tubimi i sotëm nisi nga sheshi “Skënderbej”, me marshimin drejt Kryeministrisë me thirrjet “Poshtë diktatura” dhe “Dorëheqje”.
Por më pas u shoqërua me tensione, hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe gurësh në drejtim të policisë, e cila ndërhyri me autobotë uji dhe spraj me piper.
Policia ka nxjerrë katër autobotë me ujë dhe ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën, duke e zbrazur bulevardin deri në afërsi të ish-Hotel Dajtit.
Po ashtu është hedhur në disa drejtime gaz lotsjellës, duke e mbuluar krejtësisht parkun “Rinia”, ku efektivët kryen edhe një aksion për shoqërime.
Më herët, efektivët ndërhynë në mënyrë të befasishme nga godina e Kryesisë së Kuvendit, duke shtyrë protestuesit nga bulevardi drejt trotuareve dhe në drejtim të Urës së Lanës.
Fillimisht, tubimi u zhvillua i qetë, por situata u tensionua më pas me hedhjen e mjeteve piroteknike dhe bombave molotov drejt kordonit policor.
Bilanci i protestës së 28 nëntorit
Protesta e kësaj të diele zhvillohet një ditë pas tubimit të 28 nëntorit, gjatë të cilit policia arrestoi 14 persona, ndërsa 61 të tjerë mbetën të lënduar, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë dhe kalimtarë.
Në protestën e zhvilluar një ditë më parë u regjistruan përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve.
Sipas të dhënave paraprake nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore 50 persona, mes tyre 17 efektivë policie, 21 protestues, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.
Policia e Tiranës arrestoi 12 persona dhe procedoi penalisht 19 të tjerë, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet.
j.l./ dita
Burimi: gazetadita.al










