“Njerëzit po dalin në rrugë për të sulmuar policinë dhe shtetin”, deklaroi analisti Frrok Çupi gjatë një interviste në emisionin “News Line” në ABC News.
Gjatë bisedës, Çupi bëri një dallim midis të rinjve të cilët, sipas tij, mund të përfshihen në akte dhune pa e kuptuar plotësisht peshën e veprimeve të tyre, dhe atyre që ai i quajti nxitës të dhunës.
Kritikat ndaj Sali Berishës
Analisti përdori tone të ashpra ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e akuzoi se mban përgjegjësi për nxitjen e dhunës politike në Shqipëri.
Ai kërkoi gjithashtu hetimin e atyre që i përshkroi si burime të organizimit të dhunës, duke argumentuar se përgjegjësit duhet të përballen me ndëshkimin e parashikuar nga ligji.
“Shteti vjen me një paketë ligjore që i përshtatet kohës si material dhe kohës që po imponohet shteti. Dhe në të njëjtën kohë është edhe përkujdesja e njeriut që do të protestojë. Sigurisht, e tëra nëse vëmë re, gjatë gjithë periudhës së protestës kemi pasur fenomenin njeri dhe fenomenin anti-njeri. Mund të jenë edhe disa gjimnazistë që pa e ditur se ç’bëjnë dalin dhe sulmojnë… Fenomeni tjetër është zjarrvënësi, antifa e krijuar e futur thellë në politikën shqiptare. Janë njerëzit e dhunshëm.
Është koha si në Romën e lashtë të shpallim zjarrvënësin, zjarrvënësi shqiptar është Sali Berisha. Dihet të mos përmendet më emri Berisha në Shqipëri. Njerëzit e dhunës që vijnë që nga ’97 të mund të neutralizohen. Sa kohë dihet çerdhja e dhunës duhet me çdo kusht të zbulohet dhe të shkojnë njerëzit në ndëshkimet që kanë”, tha ai.
Burimi: abcnews.al










