Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Opinion

Bumerangu i Arrogancës

Bumerangu i Arrogancës

Deklarata e fundit e Kryeministrit – ku të rinjtë protestues përshkruhen si “disa djem të paarsimuar nga periferia që nuk dinë të lidhin as shtatë fjalë bashkë” – nxjerr në dritë një paradoks të thellë etik dhe shtetëror. Përpara se të përbëjë një fyerje ndaj rinisë, kjo shprehje është një vetëakuzë e hapur.

Nëse një i ri sot është i paarsimuar, pa formim dhe pa aftësi analitike, pyetja e natyrshme nuk i drejtohet atij, por pushtetit që ka qeverisur vendin gjatë gjithë periudhës së rritjes dhe formimit të tij.

Kush e arsimoi këtë brez? Nuk mund t’i qeverisësh njerëzit për më shumë se një dekadë dhe më pas të veprosh sikur brezi i ri ka zbritur nga një planet tjetër. Kush i drejtoi ministritë e arsimit? Kush i hartoi kurrikulat dhe e çoi sistemin arsimor në teste me alternativa e analfabetizëm funksional? Kush krijoi një mjedis ku drejtimi arsimor zëvendësohet me patronazhistin dhe teserën e partisë?

Nëse këta të rinj nuk dinë të lidhin fjalët, kjo është prova më e qartë e dështimit arsimor të vetë kësaj qeverie. Të tallesh me produktin e sistemit tënd është kulmi i papërgjegjshmërisë shtetërore.

Ndërsa përdorimi i fjalës “periferi” si term ofendues zbulon një mendësi elitare të rreme dhe tregon një distancim total nga realiteti shoqëror. Në vend që shteti të investojë në periferi për të reduktuar pabarazinë, Kryeministri e përdor këtë term për t’u vënë këtyre të rinjve vulën e “qytetarëve të dorës së dytë”.

Është e qartë që KM nuk ka përgjigje për varfërinë, mungesën e perspektivës dhe shpopullimin. Prandaj zgjedh rrugën më të lehtë. Sulmon karakterin e protestuesit për të shmangur substancën e protestës.

Një udhëheqës serioz dëgjon revoltën e rinisë, merr përgjegjësi për dështimet e sistemit dhe ofron zgjidhje. Ndërsa një udhëheqës i cektë zgjedh të bëjë stand-up comedy me dëshpërimin e të rinjve, duke përdorur cinizmin si mburojë ndaj paaftësisë së vet.

Sjellja e tij provon se pushteti i sotëm nuk kërkon qytetarë që mendojnë, pyesin apo argumentojnë, por turma pushtuese që pranojnë çdo gjë verbërisht. Paniku i pushtetit lind pikërisht atëherë kur “djemtë e periferisë” refuzojnë të heshtin.

Kemi theksuar disa herë se arsimi, jo kullat me para droge, janë zhvillimi i vërtetë. Prandaj kjo përplasje retorike nxjerr në sipërfaqe edhe konfliktin e madh ideologjik dhe moral se ku po shkon vendi. Ky zhvillim i matur me lartësinë e kullave prej betoni dhe vila luksi – të ngritura mbi para të pashpjegueshme e të dyshimta droge e pastrimi – është i rremë. Kullat nuk edukojnë, nuk krijojnë mendim kritik dhe nuk mbajnë rininë në Shqipëri.

Zhvillimi i vërtetë i një kombi nuk matet me beton, por me arsimimin, dinjitetin dhe formimin e brezit të ri. Një shoqëri që investon te shkolla, te mësuesi dhe te truri i të rinjve ndërton të ardhme; një shoqëri që investon te betoni e paraja e pistë, ndërton vetëm një burg me fasadë luksoze nga ku të gjithë duan të arratisen.

Brezi i ri nuk ka nevojë për tallje e përçmim nga lartësia e këtyre kullave, por për një shtet që i garanton arsim cilësor, barazi mundësish dhe dinjitet në vendin e vet.

 

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha