Lezha u kthye në një pikëtakim për shkrimtarë, poetë dhe studiues shqiptarë me rastin e 155-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, në kuadër të edicionit të pestë të çmimeve letrare që mbajnë emrin e poetit kombëtar. Këtë vit, konkursi mblodhi 83 vepra nga autorë të trojeve shqiptare, duke nxjerrë në pah krijimtarinë bashkëkohore në tri kategori: poezi, prozë dhe përkthim.
Çmimi “Gjurmë Fishtjane”
Një risi e këtij edicioni ishte çmimi “Gjurmë Fishtjane”, i cili ka për qëllim të vlerësojë dhe të promovojë veprat që ruajnë lidhjen me krijimtarinë dhe trashëgiminë letrare të Fishtës.
Juria, e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, së bashku me anëtarët Suela Mino dhe Gani Mehmetaj, zgjodhi krijimet më të spikatura të konkursit. Çmimi “Gjurmë Fishtjane” iu dha Zef Përgegës për librin “Epika Malësore”, ndërsa në kategorinë e poezisë u vlerësua Rudolf Marku për vëllimin më të mirë poetik.
Fituesit në prozë dhe përkthim
Në prozë, çmimi për veprën më të mirë iu nda Flutura Açkës, kurse në kategorinë e përkthimit u vlerësua Agron Tufa për romanin “Gropa e themelit”.
Përveç vlerësimit të autorëve dhe veprave të tyre, çmimet letrare kanë si synim të mbajnë gjallë kujtesën për At Gjergj Fishtën dhe kontributin e tij në zhvillimin e letërsisë shqipe. I njohur për rolin e tij në kulturën dhe identitetin kombëtar, Fishta mbetet një nga figurat më të rëndësishme të traditës letrare shqiptare.
Përvjetori i lindjes së tij, i shënuar përmes këtij aktiviteti në Lezhë, shërben si një mundësi për të afruar krijuesit dhe studiuesit, por edhe për të vënë në dukje vazhdimësinë e letërsisë shqipe përmes zërave dhe veprave të reja./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










