Kryeinspektori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Sula, dha një intervistë për gazetaren Jetona Koçibelli në emisionin “Breaking” në Top News.
Gjatë bisedës, ai u ndal në situatën aktuale të vendit, në protestat e zhvilluara dhe në urdhrin e kryeministrit Rama për dorëheqjet e fundit.
Qëndrimi i Sulës për dorëheqjen
Gazetarja: A do të jepnit dorëheqjen?
Sula: Si qytetar, si prind dhe si nëpunës i shtetit, shpreh keqardhje për gjithë situatën në të cilën ndodhet vendi ynë, duke marrë parasysh edhe lëndimet e problematikat gjatë protestave. Nuk është normale që të lëndohen protestuesit apo policët që janë në krye të detyrës.
Gazetarja: Mbi 130 drejtues të administratës publike i është kërkuar dorëheqja. Nëse iu kërkohet dorëheqja edhe juve, çfarë do të bëni?
Sula: Unë kam 7 muaj në detyrë, i emëruar si Kryeinspektor i Republikës së Shqipërisë, dhe është një detyrë shumë, jashtëzakonisht e vështirë. Kam gjetur problematika mjaft të mëdha dhe bashkë me stafin tim të ngushtë, falë mbështetjes së Kryeministrit, kam pasur edhe rezultate konkrete. Përmirësimin e sistemit, jemi duke u përgatitur për kamerat inteligjente në trup për çdo inspektor, në pikat doganore inspektimi online. A e kemi arritur gjithçka? Jo. A ka problematika brenda institucionit tim, që ka 2100 inspektorë? Pa diskutim që ka shumë probleme.
Kryesorja është që integriteti im moral si drejtues i institucionit, e them personalisht drejtpërdrejt për shikuesin, nuk ka shans që një biznesmen apo një person të më korruptojë mua për emërime, masa disiplinore etj. Kam ndërhyrje edhe nga të djathtët edhe nga të majtët. Unë kam pasur një mbështetje të fortë nga ana e Kryeministrit.
Marrëdhënia me kryeministrin Rama
Gazetarja: Pra, nuk do të jepni dorëheqje, pasi keni treguar integritet personal dhe profesional.
Sula: Do t’ju tregoj sa parimor ka qenë Kryeministri në raport me problematikat e institucionit që drejtoj.
Data 12 gusht, komunikimi me Edi Ramën. Po mirë mo vëlla, ata që nuk janë çunat e askujt, si do bëhet me ata? Ti çuni i kujt je, për shembull, se unë të njoh ty, baba jot shumë i nderuar nuk është arsyeja që ti u bëre ky që je, apo jo? Tani si i bëhet me këta, çuni i këtij, çuni i atij? Mos i dëgjo këta fare, më dëgjo mua, o burrë, vër atë që është më i sakti…
Burimi: lajmifundit.al









