Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

155 vite nga lindja e At Gjergj Fishtës, homazh në Lezhë për Homerin e letrave shqipe

155 vite nga lindja e At Gjergj Fishtës, homazh në Lezhë për Homerin e letrave shqipe

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Më 23 tetor të vitit 1871, në Fishtë lindi At Gjergj Fishta, i cilësuar si Homeri i letrave shqipe.

Arsimin fillestar e mori në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i vijoi në Bosnje, në fushën e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta ishte drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Gjatë drejtimit të tij u bë e mundur që gjuha shqipe të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe, në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.

Veprimtaria e Gjergj Fishtës

Në vitin 1913 themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkë me Luigj Gurakuqin, themeloi Komisinë letrare, e cila synonte krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjatë vitit 1920 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924.

Për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta u dekorua me “Foenix” (1931), si dhe u bë anëtar i Akademisë italiane (1939). Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, të cilës i kushtoi 40 vjet punë.

Përveç krahasimit me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës mund të gjenden afinitete edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për sa u përket ndërthurjeve të mitologjisë me realitetin, mendimit filozofik dhe dramacitetit.

At Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940.

Përvjetori i 155-të i lindjes

Sot, në përvjetorin e 155-të të lindjes së tij, në Lezhë organizohen një sërë aktivitetesh në nderim të jetës, veprës dhe trashëgimisë së pavdekshme të njërit prej kolosëve të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Përmes librave, ekspozitave dhe veprimtarive kulturore, Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e Lezhës do t’i sjellë më pranë lexuesve figurën e Fishtës, poetit të madh, atdhetarit dhe mendimtarit që i dha gjuhës shqipe një nga veprat më monumentale të saj.

/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha