Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për femra e ka kaluar me sukses fazën e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027, duke e eliminuar Estoninë pas dy ndeshjeve të luajtura në Prishtinë.
Fitorja e parë ndaj Estonisë
Fitorja e qartë e së premtes, me rezultat 39:22, ishte vendimtare për kalimin e Kosovës në raundin pasues. Në ndeshjen e dytë, të zhvilluar të shtunën, Estonia fitoi 27:25, por kjo nuk mjaftoi për të neutralizuar avantazhin e krijuar nga hendbollistet kosovare në takimin e parë.
Në ndeshjen e dytë, paraqitja e Kosovës ishte më e dobët se në takimin e parë, ndërsa hendbollistet estoneze e shfrytëzuan këtë për të fituar me dy gola diferencë.
Performanca e lojtareve dhe shorti i radhës
Merlinda Qorraj ishte golashënuesja më e mirë e Kosovës në këtë ndeshje me nëntë gola, ndërsa Mirela Gjikokaj shtoi katër të tjerë. Portierja Aurora Kryeziu shënoi 12 pritje.
Me këtë arritje, Kosova e kalon për të tretën herë radhazi raundin e parë kualifikues për Kampionatin Botëror. Tani kombëtarja pret shortin për raundin e fundit kualifikues, ku synon të vazhdojë rrugën drejt Botërorit 2027./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










