Të shtunën pasdite, në zemër të Barcelonës, u regjistruan incidente të rënda gjatë një proteste të organizuar përmes rrjeteve sociale nën sloganin “Kundër sistemit”.
Dëmet dhe bllokimi i qytetarëve
Gjatë trazirave, 14 biznese pësuan dëmtime dhe u plaçkitën, ndërsa dëme të mëdha u shkaktuan edhe në stacionet e autobusëve dhe kontejnerët e mbeturinave.
Për shkak të situatës, disa dyqane u detyruan të mbyllnin dyert, duke lënë qindra qytetarë të bllokuar brenda ambienteve tregtare për arsye sigurie.
Reagimi i policisë dhe arrestimet
Për të menaxhuar situatën u angazhuan më shumë se 220 efektivë të policisë katalanase dhe Policisë Bashkiake të Barcelonës. Sipas informacioneve fillestare, janë kryer mbi 100 arrestime, ndërsa rreth 25% e të ndaluarve raportohet se janë të mitur.
Shumë nga të rinjtë që morën pjesë në protestë ishin të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara. Tubimi ishte organizuar përmes rrjeteve sociale, pa njoftim zyrtar paraprak për organizimin e tij.
Trazirat u përhapën në disa nga zonat kryesore të qytetit, përfshirë Plaça Catalunya, La Rambla, Portal de l’Angel dhe rrugët përreth. Si përgjigje ndaj situatës, autoritetet bashkiake shtuan masat e sigurisë dhe praninë policore në zonat e prekura.
Burimi: euronews.al









