Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj u jepet lamtumira e fundit, pas konfliktit me fqinjin që i la të vrarë

Vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj u jepet lamtumira e fundit, pas konfliktit me fqinjin që i la të vrarë

Familjarë, të afërm dhe miq do t’i japin sot lamtumirën e fundit Selam dhe Nazmi Islamaj, dy vëllezërit që humbën jetën një ditë më parë, pasi u qëlluan me armë zjarri nga fqinji i tyre, Ngushëllim Manzi.

Ngjarja e rëndë tronditi zonën, ndërsa pas të shtënave me armë zjarri, përveç dy viktimave, mbeti i plagosur edhe Shefqet Islamaj. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, ku po merr kujdes intensiv për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve të raportuara, ai ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.

Dy vëllezërit humbën jetën pas një konflikti që dyshohet se nisi për shkak të punimeve që po kryheshin për ndërtimin e një muri rrethues në pronën e familjes Islamaj. Sipas të dhënave paraprake, kalimi i mjeteve të betonit gjatë punimeve kishte shkaktuar pakënaqësi te fqinji, Ngushëllim Manzi, duke sjellë fillimisht debate mes palëve.

Përplasja verbale dyshohet se u përshkallëzua më pas në një konflikt më të ashpër, ku u përfshinë edhe familjarë të të dyja palëve. Situata përfundoi tragjikisht, me përdorimin e armës së zjarrit dhe vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur rëndë.

Në dëshminë e dhënë pas ngjarjes, Ngushëllim Manzi ka pretenduar se ka marrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar pasi Shefqet Islamaj kishte shtyrë prindërit e tij. Ky është versioni i paraqitur prej tij, ndërsa rrethanat e plota dhe motivet që çuan në ngjarjen e rëndë po hetohen nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme, efektivë të Komisariatit të Policisë nr. 5 vijojnë të jenë të pranishëm në zonën ku ndodhi krimi, me qëllim parandalimin e tensioneve apo përplasjeve të mundshme mes familjeve.

Prania e shtuar e policisë lidhet edhe me faktin se banesat e familjes së viktimave dhe të autorit të dyshuar ndodhen pranë njëra-tjetrës. Autoritetet po mbajnë situatën nën kontroll, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit që përfundoi me humbjen e jetës së dy vëllezërve dhe plagosjen e një personi tjetër.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha