Me pretendimin se kishte nënën në një gjendje të vështirë ekonomike dhe se sapo kishte regjistruar vajzën në fakultet, Leli Kaja, administratori i shoqërisë aksionere “Eco-Elb”, ka arritur të zbusë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Ai u paraqit para gjyqtares Bib Ndreca pa u mbrojtur nga avokati i tij i zgjedhur, pasi për shkak të bojkotit avokati nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë.
Kapja dhe paratë e gjetura
Kujtojmë se Leli Kaja u kap në flagrancë nga dy oficerë të BKH-së me 4 milionë lekë të vjetra në xhep, para që i ishin dhënë pak minuta para arrestimit nga biznesmeni i kompanisë “Arteo-218”, Artan Topi.
Njëkohësisht, në zyrën e tij u gjetën edhe 28 mijë euro, por SPAK nuk ishte në gjendje të vërtetonte nëse këto shuma financiare ishin rezultat i korrupsionit apo vinin përmes faturave tregtare të biznesit që ai administron.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se, ndërsa Leli Kaja u paraqit para gjykatës, prokurori i çështjes Arben Kraja ka kërkuar ndaj tij caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Kaja u mbrojt para gjyqtares Ndreca, duke pohuar se:
“…nuk ishte dakord që të mbrohej me mbrojtës të caktuar kryesisht, ai kishte vite që punonte dhe nuk kishte pasur asnjëherë problematikë të tillë në marrëdhënie të punës, kishte nënën në gjendje shumë të rëndë dhe nuk kishte kush të kujdesej për të, po kështu kishte dhe vajzën që do të fillonte fakultetin…”.
Vendimi i gjykatës
Pasi dëgjoi të dyja palët, gjatë seancës gjyqësore gjykata u bind se në rastin konkret të arrestimit të Leli Kajës ka prova dhe indicje të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e arsyeshëm mbi kryerjen e veprës penale dhe mbi autorësinë e saj.
Por, ndryshe nga kërkesa e prokurorit të çështjes, që kërkon si masë sigurimi për personin nën hetim atë të “arrestit në burg”, gjykata çmon se masa më e përshtatshme në rastin konkret është ajo e “arrestit në shtëpi”.
Vetë mënyra e realizimit të saj, shuma e parave të kërkuara, personaliteti i personit nën hetim (nuk rezulton të ketë kryer vepra penale më parë), sjellja e tij gjatë apo pas arrestimit dhe personaliteti i tij bëjnë që rrezikshmëria e tij të mos jetë e tillë që t’i caktohet masa e sigurimit “arrest në burg”, por ajo e “arrestit në shtëpi”, duke e urdhëruar personin nën hetim që të qëndrojë në banesën e tij dhe të mos kontaktojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre me të cilët jeton në të njëjtën banesë.
Gjykata në këtë rast mori parasysh edhe gjendjen familjare të personit nën hetim dhe gjendjen shëndetësore të nënës së tij.
Ndërkohë, edhe pse prokurori argumentoi se masat e tjera si detyrim paraqitjeje, garanci pasurore apo pezullim nga ushtrimi i detyrës nuk janë të përshtatshme, prokuroria në asnjë moment nuk argumenton se pse masa e sigurimit “arrest në shtëpi” nuk i plotëson nevojat e sigurimit për rastin konkret.
Edhe pse prokurori thekson se personit nën hetim i janë gjetur në zyrë edhe shuma të tjera parash të konsiderueshme, nuk ka asnjë të dhënë në këtë drejtim se si janë gjetur aty, nëse janë para korrupsioni, likuidim faturash apo gjendje arke, apo cila është natyra e vërtetë e tyre.
Shuma prej 28 mijë euro që u gjet në zyrën e Leli Kajës nuk mund të përdoret në këto momente nga SPAK për të “rënduar” në llojin e masës së sigurimit ndaj administratorit të “Eco-Elb”.
Burimi: sot.com.al










