Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi sot se mbrojtja në hapësirën kibernetike është një element thelbësor i sigurisë kombëtare. Sipas tij, për t’u përballur me rreziqet e kohës nevojiten aftësi të avancuara, ekspertizë profesionale dhe bashkërendim i ngushtë mes institucioneve.
Stërvitja “Digital Siege 2026”
Gjatë stërvitjes ndërinstitucionale “Digital Siege 2026”, Maqedonci theksoi se Ministria e Mbrojtjes e ka prioritet rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në fushën e sigurisë kibernetike.
“Do të vazhdojmë të investojmë në dije, teknologji dhe profesionalizëm, si dhe të forcojmë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët tanë strategjikë, për një Republikë të Kosovës më të sigurt dhe më të qëndrueshme përballë sfidave të së ardhmes”, shkroi ministri në një postim në Facebook.
Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike
“Digital Siege 2026” është ushtrimi i parë i këtij lloji që organizohet nga Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Funksionalizimi i Qendrës në FSK është mundësuar me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Burimi: www.albeu.com









